E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Gati për mocion mosbesimi ndaj Berishës dhe Topallit

Ilir Meta shprehu gatishmërinë që të firmosë për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë "Berisha". Dje ai kujtoi se përpara se të hidhen firmat për heqjen e Kryeministrit, duhet të mblidhen firmat për Kryeministrin e ri që do ta zëvendësojë, "për shkak të ndryshimeve kushtetuese që Berisha bëri bashkë me ndihmën e zotit Rama", konstatoi Meta. Sipas tij, tani nuk duhen më vetëm 71 vota, por duhen 142 vota për të hequr Berishën. "Pra, 71 për një tjetër dhe 71 për heqjen e Berishës. Në fakt këtu qëndron ky komfort i ri që ju krijua Berishës në mënyrën më mendjelehtë dhe më të turpshme, këtu qëndron dhe pacipësia e Berishës, që qesëndis opozitën dhe i lutet për mocion mosbesimi", nënvizoi Meta. Ne jemi gati që tani, shtoi ai, ashtu sikurse kemi qenë gati dhe jemi përsëri gati në çdo moment, nëse Partia Socialiste riaktivizon mocionin për zonjën Topallit, për të ecur edhe në këtë drejtim. Ish-kryeministri denoncoi me forcë fushatën e re të Kryeministrit dhe mazhorancës kundër pavarësisë së Prokurorisë. LSI mendon se Kryeministri rinisi një sulm tjetër ndaj pavarësisë së këtij institucioni, duke e cenuar rëndë integritetin e Prokurorisë dhe duke marrë funksionet e saj, teksa deklaronte urdhërimin për një hetim ndërkombëtar për çështjen Fazliç. "Këto qëndrime të Berishës dhe deklaratat e para tri ditëve të ministrave të tij të Brendshëm dhe Drejtësisë, nuk lënë më asnjë dyshim se kjo mazhorancë tashmë ka përcaktuar Prokurorinë si një institucion që nuk duhet të funksionojë kurrsesi më si e pavarur, duke kërkuar ta kthejë atë si një bisht të këtij ekzekutivi të korruptuar", nënvizoi Meta, teksa shtoi se kjo sjellje antikushtetuese dhe anti-institucionale e Kryeministrit komprometon rëndë edhe iniciativën e tij për të bërë një ligj të ri për Prokurorinë, i cili, sikurse kemi denoncuar shumë qartë edhe më parë, ka si objektiv të vetëm eliminimin e pavarësisë kushtetuese të këtij institucioni jetik. LSI përshëndeti deklaratën e Ambasadës së SHBA-së dhe të ambasadorëve të BE-së, ku kërkohet një sjellje institucionale e kësaj qeverie në përputhje me Kushtetutën dhe mosbllokim të institucioneve të pavarura si Prokuroria, që të bëjnë detyrën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›