E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha për HEC-et: Ujërat s‘mund të mbeten peng i askujt

Afro 146 projekte hidrocentralesh të vogla janë dhënë me koncesion në 18 muajt e fundit, por për Kryeministrin Berisha niveli duhet të ishte edhe më i lartë. Gjatë mbledhjes së djeshme në qeveri, pasi u mor vendimi për ndërtimin e katër HEC-ve lokale, Kryeministri vlerësoi ligjin e ri për koncesion, i cili po jep efektet e para pozitive në rritje të prodhimit. Duke folur për pasurinë ujore që mbart vendi ynë, kreu i qeverisë shtoi se, "ne nuk morëm përsipër kryerjen e projekteve dhe fizibilitetin e ujërave dhe lumenjve tanë, por ia besuam sektorit privat, ndërsa qeveria pati si detyrë mbrojtjen e interesit publik". Sipas tij, Shqipëria ka njohur një garë të paprecedentë të kompanive vendase dhe të huaja më të mëdhatë në Evropë, rezultati i të cilit është 146 HEC-e, me një bilanc prodhimi total të projektuar dy herë më shumë se prodhimi i sotëm i vendit. Por sipas tij, "Shqipëria ka gjithashtu edhe një mungesë institucionale në ndjekjen e zbatimit të këtyre kontratave". Duke marrë si shembull Drejtorinë e Rrugëve, Berisha propozoi ngritjen e një strukture të posaçme për ndjekjen e kohës së zbatimit të kontratave. Sipas tij, "ujërat nuk mund të mbeten peng i askujt. Qeveria mbetet gardiane e interesit publik, ndaj dhe është e detyruar të ndjekë kohën e zbatimit të kontratës dhe rregullat e zbatimit të saj".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›