Minxhozi: Industria e minierave, në krizë
Deputeti socialist, Qemal Minxhozi, u shpreh dje për mediat se ka një ulje të ndjeshme të eksportimit të kromit që prodhohet në Shqipëri. Sipas tij, është qeveria e cila duhet të ndërhyjë sa më shpejtë, për ta nxjerrë nga kriza këtë sektor, pasi është alarmante situata nëse 2000 punonjës të kësaj industrie nxirren në rrugë si të papunë. Minxhozi i bëri bërë apel qeverisë të gjejë rrugët e zgjidhjes që minatorët e ferrokromit të mos gjenden të papunë. "Gjatë kohës së përgatitjes së projektbuxhetit të vitit 2009, Partia Socialiste propozoi në Parlament që të hartohej një buxhet sa më real, duke pasur parasysh edhe krizën botërore që do të ketë efektet e saj në Shqipëri", tha Minxhozi. Teksa kujtoi se u propozua që të kishte një buxhet të veçantë, për të përballuar këtë krizë botërore, gjë e cila nuk u morr parasysh. "Dhe efekti i parë kësaj krize ndihet në Shqipëri në industrinë minerare, nxjerrëse dhe përpunuese të kromit, e cila gjatë vitit 2007 ishte zëri kryesor në eksport, me 25% të buxhetit të shtetit për eksportin e një shume të konsiderueshme, që gjatë këtij viti është venitur në shifra të vogla", konstatoi Minxhozi.