E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për Ramën: “Të dërgojë anëtarë për Komisionin e Verifikimit të ‘spiunëve’”



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur dje përpara deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së, është ndalur në veçanti në zbatimin e ligjit të lustracionit. Ai i ka kërkuar kryetarit të opozitës, Edi Rama, që të marrë pjesë me anëtarë në Komisionin për Verifikimin e Figurës së Zyrtarëve të Lartë, që do të ngrihet pas hyrjes në fuqi të ligjit të dosjeve. Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka drejtuar disa pyetje kryetarit të opozitës duke kërkuar prej tij që të reflektojë dhe të ndahet nga e kaluara. Berisha ka theksuar se ligji i lustracionit, i miratuar nga deputetët e PD-së në Kuvend, është më i buti i mundshëm për dënimin e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri.
Ftesa
“Dua të ftoj opozitën të bëhet pjesë e Komisionit të Verifikimit të Figurës së Zyrtarëve të Lartë në zbatim të ligjit të lustracionit”, - është shprehur Berisha. “Unë i drejtoj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, një thirrje të hapur dhe të sinqertë, pavarësisht qëndrimeve që ka mbajtur. Përpara se të vendosë për qëndrimin kundër zbatimit të ligjit të lustracionit, e ftoj z. Rama të shtrojë para vetes në mënyrë qytetare vetëm dy pyetje. Pyetja e parë: A përbëjnë krimet e regjimit totalitar të Enver Hoxhës krim kundër njerëzimit, apo jo? Dhe, së dyti: A duhen dënuar krimet kundër njerëzimit?”, - është shprehur kryetari i Partisë Demokratike duke iu drejtuar rivalit të tij politik, kryetarit të PS-së, Edi Ramës. Më pas, Berisha i ka cilësuar krimet e bëra gjatë regjimit komunist në Shqipëri tejet të rënda. “Nuk ka vend që të ketë përjetuar ato që përjetoi Shqipëria nga regjimi komunist. Këto krime ishin të lidhura me politika qeveritare dhe si të tilla konsiderohen nga konventat dhe ligjet ndërkombëtare si krime kundër njerëzimit. Konventat dhe ligjet ndërkombëtare për krimet kundër njerëzimit, doktrina mbi këto krime është e qartë si kristali. Përgjegjës për këtë janë jo vetëm hartuesit e platformave, por edhe ekzekutuesit e akteve, qoftë edhe një apo dy akteve të vetme në kuadrin e një situate të krimeve kundër njerëzimit”, - është shprehur Berisha. Ai ka bërë të ditur se zbatimi i ligjit të lustracionit do ta ndajë PS-në njëherë e përgjithmonë nga e kaluara.
“Ligji i lustracionit është absolutisht përgjigjja do të thosha më e butë dhe përpjekja më e ndershme që ne kërkojmë t’i japim ndarjes nga ajo e shkuar. E gjitha kjo synon të mbyllë një kapitull që është ende i hapur, qartësisht i hapur. Uroj që këtë mesazh të mos e gjykojmë me verbëri politike, por me dokumentacione, me praktikat më të mira, më të qytetëruara”, - është shprehur Berisha.
Ligji
Ligji për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë parashikon ngritjen e një autoriteti, i cili do të shqyrtojë pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Autoriteti përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët propozohen dy përfaqësues nga shumica parlamentare; dy përfaqësues nga pakica parlamentare; ndërsa kryetari zgjidhet me konsensusin e palëve. 5 anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë. Në rast se vendi i një a më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën 2 kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Por Partia Socialiste, e cila nuk e ka votuar këtë ligj duke e konsideruar si antikushtetues, ka deklaruar se nuk do të propozojë anëtarë për krijimin e Autoritetit. Mbetet ende në pikëpyetje se si do të veprohet me vendet vakante të anëtarëve që duhet të zgjidhen nga opozita.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›