E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja: Qeveria të ndalë sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese



Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet e vendosur për të kundërshtuar dhe rrëzuar ligjin e dosjeve të miratuar në mënyrë të njëanshme nga ana e maxhorancës. Zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetari i Grupit Parlamentar e Majta për Integrim, Pëllumb Xhufi, tha se LSI-ja do të depozitojë ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e dosjeve. Xhufi denoncoi sulmet e maxhorancës dhe të qeverisë në drejtim të Gjykatës Kushtetuese. Ai tha se qeveria “Berisha” ka nisur betejën për të kapur ose për të shpartalluar edhe repartin e fundit të sistemit të Drejtësisë, siç është Gjykata Kushtetuese. “LSI-ja denoncon ashpër këtë revansh të qeverisë “Berisha” kundër institucioneve dhe kundër vetë shtetit të së drejtës, që nisi me ndryshimet kushtetuese dhe që po detajohet tani në goditjet një për një kundër organeve kushtetuese. LSI-ja denoncon ashpër të gjithë ata që iu bashkuan qeverisë “Berisha” në këtë vepër shkatërrimtare, që po e çon përsëri vendin drejt dilemës: demokraci, apo diktaturë”, - tha Xhufi. Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese gjendet përballë përgjegjësisë historike për të mbrojtur jo vetëm veten e saj, por ligjin, Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
“Sot është radha e Gjykatës Kushtetuese të gjendet përballë një prove të rëndë, që për të është prova e zjarrit. Sot është dita kur kjo gjykatë ka përgjegjësinë historike për të mbrojtur jo veten e saj, por ligjin, Kushtetutën e shtetin e së drejtës nga sulmet e taborrit antishtet, që përfaqësohet nga qeveria “Berisha” dhe jo vetëm nga ajo. Ne kemi besim të patundur se Gjykata Kushtetuese, që shpesh herë është vënë para provave të ngjashme, do të sillet edhe kësaj radhe me dinjitetin dhe me përgjegjësinë sublime në mbrojtje të ligjit e të institucioneve.
Në vazhdim të luftës së saj për mbrojtje të ligjshmërisë e të institucioneve, LSI-ja do të ndërmarrë të gjitha iniciativat politike për të bërë të dështojë edhe kjo tentativë për kapjen e Gjykatës Kushtetuese”, - tha Xhufi.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›