G99: “Skandaloz sulmi i qeverisë ndaj sistemit gjyqësor”
G99 ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me sulmet e paligjshme dhe të pandërpera që maxhoranca ka ndërmarrë ndaj sistemit gjyqësor në Shqipëri. Aktivistja e G99-s, Olta Xhaçka, tha se sulmi këmbëngulës, që mazhoranca është duke ndërmarrë kundër pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, është skandaloz. “Eshtë e papranueshme që një mazhorancë, e cila është e ngërthyer në procese korruptive e kriminale, të cilat duhet të konsiderohen nga sistemi gjyqësor, të sulmojë me çdo mënyrë pavarësinë e këtij sistemi. Është skandaloz dhe i papranueshëm për një demokraci paralajmërimi kërcënues që kryeministri u bëri dje anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i urdhëruar atë që të mos merren me shqyrtimin e ligjit “Për dosjet”, pasi, sipas tij, një pjesë e tyre kanë konflikt interesi. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Kuvendi nuk mund të kalojë ligje me shumicë të thjeshtë me pretendimin për të eliminuar anëtarët e institucioneve kushtetuese, të cilët janë zgjedhur me shumicë të cilësuar po nga ky Kuvend. Për më tepër, konflikti i interesit nuk i pengoi përfaqësuesit e mazhorancës në Parlament që të votonin ligjin, pavarësisht pozicioneve që ata kanë mbajtur brenda nomenklaturës komuniste apo Partisë së Punës”, - tha Xhaçka.
20 Janar 2009