Zhvillohet seanca parlamentare, PS-ja kërkon komision të posaçëm për zbatimin e Kodit Zgjedhor
Ka zhvilluar dje punimet seanca e parë parlamentare për vitin 2009. Gjatë kësaj seance, deputetët kanë miratuar programin e punës së Kuvendit për tri javët në vazhdim. Ndërsa Partia Socialiste ka kërkuar ngritjen e një komisioni të posacëm parlamentar për zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe përgatitjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Në emër të PS-së, deputeti Kastriot Islami ka paraqitur argumentet për këtë kërkesë.
“Kemi paraqitur një kërkesë për ngritjen e një komisioni ad hog për zbatimin e Kodit Zgjedhor. Për këtë kërkesë jemi nisur nga fakti se aktualisht procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti është i paqartë, jotransparent dhe në mjaft elementë kaotikë. Nuk është përmbushur afati i regjistrit themeltar elektronik, për të cilin ka pasur disa afate dhe tani mendohet se do të jetë në fund të muajit janar. Ky proces paraqet shumë vonesa duke vënë në rrezik përfundimin e regjistrit elektronik, në bazë të të cilit KQZ-ja duhet të hartojë regjistrin sipas qarqeve. E dyta lidhet me listat e votuesve. Pra, shanset që listat e votuesve të hartohen të sakta janë ende të ulëta. Momenti i tretë janë kartat e identitetit. Kapacitetet për prodhimin e 3 milionë kartave të identitetit janë të atilla që nuk e përmbushin këtë proces. Por ne kemi ende votues pa pasaportë dhe në Kodin e ri është sanksionuar votimi vetëm me pasaportë ose me kartë identiteti. Mungon një kalendar veprimi për zgjedhësit pa pasaportë dhe numri i tyre mund të jetë i konsiderueshëm në fund të këtij procesi”, - është shprehur Islami, duke ngritur një pikërpyetje se ç’do të ndodhë me ata zgjedhës që nuk do të jenë të pajisur me kartë identiteti apo me pasaportë ditën e zgjedhjeve. Ndërsa kryetari i seancës së djeshme parlamentare, Neritan Ceka, bëri të ditur se kërkesa e PS-së për ngritjen e një komisioni parlamentar do të shqyrtohet brenda tri ditëve nga konferenca e kryetarëve.
20 Janar 2009