E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatos Nano rikthehet në seancë parlamentare



Ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është rikthyer dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputeti i PS-së, që kur ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së dhe kryeministrit të vendit, shfaqet një herë në gjashtë muaj në sallën e seancave parlamentare. Këtë e bën për të respektuar Rregulloren e Kuvendit, sipas së cilës në rast se deputeti nuk paraqitet në Kuvend për më shumë se 6 muaj, atij i ndërpritet rroga e deputetit. Për gati katër vjet rresht, ish-kryeministri i vendit e ka respektuar këtë dispozitë të Rregullores së Kuvendit dhe ka qenë i pranishëm kryesisht në seanca të rëndësishme parlamentare. Prania e tij është vënë re edhe gjatë seancës së djeshme. Nëse është kjo lëvizje e politikanit të vjetër një rikthim përfundimtar në skenën e politikës shqiptare, tashmë që kanë mbetur vetëm pak muaj nga zgjedhjet parlamentare, mbetet ende për t’u parë.

20 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›