Pse nuk duhet të dorëhiqen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese
Shaban Sulçe
Sulmi që po i bën maxhoranca aktuale Gjykatës Kushtetuese përbën sërish një tjetër atentat të rëndë ndaj dokumentetit themeltar të shtetit, Kushtetutës. Përfaqësues të maxhorancës kanë nisur një sulm ndaj këtij organi të rëndësishëm, duke deklaruar se anëtarët e saj nuk mund të shqyrtojnë ankimimin ndaj ligjit të dosjeve pasi ata preken nga ligji për pastërtinë e figurave, duke nënkuptuar largimin e tyre nga ky institucion kushtetues. Me pak fjalë, maxhoranca ka tentuar të cenojë mandatin e anëtarëve të Kushtetueses, ndërkohë që mandati i tyre sanksionohet qartë në disa nene të Kushtetutës.
Mandatet
Sipas pretendimit të maxhorancës, në ligjin për dosjet, të miratuar në mënyrë të njëanshme prej saj, disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ndërpresin mandatet, pasi preken nga ky ligj. Por Kushtetuta parashikon qartë rastet kur anëtarët e kësaj gjykate duhet të ndërpresin mandatet e tyre. “Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur: dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi, kur nuk paraqitet pa arsye në detyrë për më shumë se 6 muaj, kur mbush moshën 70 vjeç, kur jep dorëheqjen, me vendim gjyqësor të formës së prerë, kur deklarohet i paaftë për të vepruar. Mbarimi i mandatit të gjyqtarit deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit, një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar”, - thuhet në Nenin 127 të Kushtetutës. Neni 128 përcakton qartë edhe rastet e shkarkimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, gjë që mund të ndodhë vetëm në rast se vendos 2/3 e Kuvendit të Shqipërisë. “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij për shkelje të Kushtetutës, për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit. Vendimi i Kuvendit shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila, kur vërteton se ekziston një nga shkaqet e mësipërme, deklaron shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, - thuhet në këtë nen të Kushtetutës.
Vendimi
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë deklaruar se do të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për dosjet. Por maxhoranca ka lënë të nënkuptohet gjithashtu se nuk do të njohë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rast se ajo do të rrëzojë ligjin për dosjet. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë shteti i së drejtës dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri do të pësojë një goditje të rëndë. Kjo pasi në Nenin 132 të Kushtetutës, në pikën 1 të tij, thuhet qartë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare. Gjykata Kushtetuese ka vetëm të drejtën e shfuqizimit të akteve që shqyrton. Ndaj tendencës së maxhorancës për të penguar shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese kanë reaguar dje konstitucionalistë të ndryshëm. Njëri prej tyre, Genti Ibrahimi, tha se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë në shqyrtim ligjin e dosjeve, ndonëse prezumohet që mund të ketë konflikt interesi me këtë ligj. Sipas tij, mungesa e vendimmarrjes nga Gjykata Kushtetuese duhet eliminuar me çdo kusht. Ibrahimi theksoi detyrën historike që ka kjo gjykatë për të evituar krizën institucionale që vjen si rezultat i këtij ligji. “Zbatimi i këtij ligji pa u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese do të sillte vetëm një destabilitet politik”.
20 Janar 2009