Berisha për gjyqin e Metës: Prokuroria ka mashtruar parlamentin
Kryeministri akuzon Prokurorinë se mashtroi Kuvendin me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Meta. Sipas Berishës, dokumentet e mëvonshme konfirmuan se parlamenti është mashtruar dhe organi i akuzës ka konsumuar një akt të pamoralshëm. Berisha tha se Ilir Meta dha një shembull të shkëlqyer, duke kërkuar gjykimin e çështjes në themel
Kreu i ekzekutivit, Sali Berisha iu referua dje gjatë intervistës ekskluzive në ABC NEËS me gazetaren Sonila Meço, të parën për vitin 2012, gjyqit ndaj kreut të LSI-së, Ilir Meta. Berisha e cilësoi procesin e nisur ndaj ish zëvendëskryeministrit, si të montuar politikisht, ndërsa akuzoi Prokurorinë se ka mashtruar parlamentin me kërkesën për heqjen e imuniteti të deputetit.
Kryeministri vlerësoi qëndrimin e Meta gjatë procesit gjyqësor, i cili sipas tij ka qenë një shembull i shkëlqyer si dhe një nder që i bëhet drejtësisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Sipas kryeministrit, organi i akuzës i dërgoi Kuvendit një dokument të prerë dhe ngjitur 28 herë, ku përmes të cilit dhe arsyetimeve për korrupsion, kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Ilir Meta.
“Ilir Meta ka dhënë një shembull të shkëlqyer. Iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një dokumenti të prerë dhe ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen dhe shkoi para Prokurorit, si qytetari Ilir Meta. I kërkoi Gjykatës së Lartë, më thelbësoren, gjykimin në thelb të çështjes si dhe i është përgjigjur në mënyrë të qytetëruar kërkesës së Gjykatës së Lartë. Sigurisht që ka pasur probleme, ka pasur probleme me organin e akuzës, e cila për hir të së vërtetës ka mashtruar parlamentin me shkresë dhe dokument (për heqjen e imunitetit të Metës) dhe pavarësisht nga kjo nuk ka asnjë keqardhje edhe pse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar qartë dhe katërcipësisht se parlamenti është mashtruar. Me mashtrimin që ka bërë, është një akt i pamoralshëm. Por këto s’kanë rëndësi, është drejtësia dhe ajo do të thotë fjalën e saj. Qëndrimi i Gjykatës për të shqyrtuar në thelb çështjen, i ka bërë nder shtetit ligjor. Meta ishte vetë që kërkoi gjykimin në themel të çështjes”, u shpreh Berisha.
Duke iu referuar pretencës së prokurorisë ndaj ish zëvendëskryeministrit, Berisha tha se cilido që të jetë vendimi i drejtësisë, ai do të respektohet.
“Vendimi i drejtësisë do respektohet, pa dyshim. Por, Ilir Meta derisa të jepet vendimi është i pafajshëm. Ka deklaruar se do respektojë vendimin e Gjykatës”, tha kryeministri.
Lidhur me rikthimin e Metës në qeveri, nëse gjykata e shpall të pafajshëm nga akuzat e Prokurorisë, Berisha tha se për këtë vendos LSI.
“A do jetë Ilir Meta në qeveri apo jo? Kjo është çështje e LSI-së”, theksoi më tej kryeministri Berisha.