E Diel, 1 Nëntor 2026

Hipokrizia dhe arsyeja e homazheve për të ndjerin prokuror Xhevat Hana

12-01-2012 / Redaksionale

Duke i shprehur familjes ngushëllimin më të sinqertë për vdekjen e zotit Xhevat Hana, duam të marrim përsipër guximin - dhe për ta lënë si dokument – shpjegimin pse u organizua një homazh për të ndjerin, siç nuk ishte organizuar kurrë ndonjëherë për ndonjë prokuror. Dhe sa e sinqertë ishte kjo.
Zakonisht, atje ku ka tepri, qoftë në dashuri, qoftë në dhimbje, ka një gjë që nuk shkon. Cila është ajo gjë që nuk shkon në këtë rast dhe pse atje u shfaq presidenti Topi, Edi Rama dhe pafund Partia Socialiste dhe segmentet shërbëtore të saj? Prokurori është një njeri i depolitizuar. Ai ka pasur një jetë fare të zakonshme në axhendën e tij profesionale, vinte nga shërbimi juridik i periudhës enveriste, si dhe shumë të tjerë, por ai mori përsipër një detyrë që nuk e merrte asnjë prokuror; çështjen e debatuar të rastit “Remzi Hoxha”. Shumë kolegë të tij e shihnin se dosja s’kishte të ardhme provash dhe aq më shumë ndjehej që nuk ishte qëllimi për të nxjerrë të vërtetën. Nuk ishte fare fjala këtu për të qetësuar dhimbjen e familjes së Remzi Hoxhës, por ishte një intrigë politike, për të gjetur një fakt, për të anatemuar një administratë të shkuar, për të bërë etiketime me vlerë politike për sot. Megjithë dëshirën dhe korrektesën e të ndjerit, dosja nuk përparonte dhe nuk i arrinte synimet politike. Dhe për këtë arsye, prokurorja e përgjithshme i bëri një shkarkim zotërisë nga niveli i detyrës, duke e rrëzuar vlerën e pagës, deri në 50 përqind. Kjo bëhej si presion për të por edhe si një pendesë se nuk ishte gjetur njeriu i duhur. Por, për ta mbajtur gjallë, në këmbë, procesin që zoti Hana kishte, këta vendosën një protokoll të nivelit shumë të lartë edhe për të fshehur qëndrimin hipokrit të mbajtur ndaj të ndjerit. Edhe në ato momente, ata u përpoqën ta përdorin. Nëse dashuria për partinë nuk i lejon ta shohin këtë analizë, cilido është i lirë të hajë broçkullat dhe paciptësinë e ngushëlluese.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›