Kapet mashtruesi i biznesmenëve
KORçE/ GEZIM ASHIMIArrestohet mashtruesi i biznesmenëve korçarë. Eduart Jaku (Dibra) u prangos mbrëmjen e së dielës në një nga hotelet luksoze të Pogradecit, vetëm pak metra larg komisariatit. Sipas policisë, 26-vjeçari nga fshati Kukel i Shkodrës kishte qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve nëpër hotelet e Pogradecit, bashkë me një vajzë e cila dyshohet të jetë e dashura e tij. Ndonëse i riu shkodran ka mundur të marrë nëpërmjet mashtrimit rreth 30 mijë euro, blutë i kanë gjetur atij në momentin e arrestimit vetëm 12 mijë lekë. Nuk dihet ende se ku ka përfunduar pjesa tjetër e parave, megjithëse ka dyshime se një pjesë të mirë të tyre ai t’i ketë shpenzuar gjatë këtyre ditëve. Sipas policisë, arrestimi i të riut është kryer pas sinjaleve të siguruara në rrugë operative nga agjentët në terren. I riu kishte ndërruar disa hotele gjatë këtyre 5 ditëve të qëndrimit në Pogradec për të mos rënë shumë në sy. Në momentin e arrestimit Jaku nuk ka bërë rezistencë, ndërsa më pas është shoqëruar në ambientet e policisë së Korçës ku edhe është marrë në pyetje. Blutë nuk bënë të ditur në lidhje me deponimet e tij, por sipas burimeve, ka prova të mjaftueshme për t’i adresuar atij akuzën e mashtrimit. Ai u merrte biznesmenëve para në këmbim të disa çeqeve pa vlerë, të cilat ishin hapur nga një llogari e tij boshe. Sipas policisë, deri më tani kanë bërë kallëzim për mashtrim biznesmenët me inicialet R.K., banues Korçë, K.S.,banues në Korçë, M.L., banuese në fshatin Bulgarec të Korçës si dhe P.Z., banues po në Korçë. Këta persona kanë dëshmuar për ekspertët e sektorit të krimit ekonomik se Eduart Jaku apo Eduart Dibra siç i riu edhe u ishte prezantuar atyre, i kishte mashtruar duke iu mbushur çeqe të rremë. Sipas të dhënave të policisë, në momentin e ndalimit, të riut shkodran i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe një bllok çeqesh të Bankës Kombëtare Tregtare, ende të papërdorura për mashtrimet e tij. 26-vjeçari mbërriti në Korçë ditët e festave. Më datën 1 dhe 2 janar ai mashtroi biznesmenët duke iu marrë rreth 30 mijë euro borxh dhe më pas iu firmosi disa çeqe ku ata do të mund të merrnin paratë më 8 janar. Por kur biznesmenët u paraqitën në bankë në datën e caktuar u konfirmua edhe mashtrimi. I riu nuk kishte dhënë gjenealitetet e sakta, ndërkohë që llogaria e tij nuk kishte asnjë lek. AKOMODIMIPas largimit nga qyteti i Korçës, Jaku ka qëndruar në Pogradec. Policia tha se ai ka vazhduar të akomodohet në hotele të ndryshme të këtij qyteti, dhe ndryshonte shpesh destinacion qëndrimi për të mos rënë në sy. Nuk ka të dhëna nëse i riu shkodran të ketë mashtruar persona apo biznese të tjera në qytetin e Pogradecit