E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjobë tre biznesmenëve, në gjyq dy autorët

 TIRANE - Prokuroria e krimeve të rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale në ngarkim të dy personave të akuzuar për gjobëvënie ndaj tre biznesmenëve nga Vlora. Lajmi është pohuar dje nga burime të organit të akuzës, sipas të cilëve dosja penale në ngarkim të personave të dyshuar Nikollaq Taullaraj, 26 vjeç dhe Ardit Allushaj, 20 vjeç, pas përfundimit të hetimeve është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për shqyrtim gjyqësor. Dy personat akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë” në dëm të tre biznesmenëve nga Vlora. Njërit prej këtyre biznesmenëve me anë të mesazheve telefonike kërcënuese, i janë kërkuar 20 mijë euro, tjetrit i janë kërkuar 500 mijë lekë, në të njëjtën mënyrë me anë të telefonit ndërsa biznesmenit të tretë i janë kërkuar 24 mijë lekë. Kërcënimet në adresë të biznesmenëve kanë nisur në 22 dhjetor 2009 duke vazhduar për katër ditë deri më 26 dhjetor 2009. Njëri prej tyre denoncoi në polici dhe më pas Krimet e Rënda në bashkëpunim me strukturat e rendit arrestuan dy autorët e ngjarjes, kur shkuan të merrnin shumën prej 500 mijë lekë të reja nga njëri prej biznesmenëve në një hotel në Vlorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›