E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha për

Autori i Lajmit: red.
Anëtarësimin e PD-së në IDU
“Kjo përbën shkallën më të lartë që ekziston të integrimit të një force politike në partitë simotra. Dua tu them këtu se reformat që ka kryer qeveria e këtij koalicioni që udhëheq kjo parti, janë spektakolare, duke i faktuar botës se kjo është një parti tërësisht e qendrës së djathtë”

Takimin me Sarkozi
“Unë pata rastin të përshëndetem shumë përzemërsisht me presidentin Sarkozi dhe ta ftoj presidentin të vizitojë Shqipërinë. Presidenti e pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë. Ai më siguroi se do ta shohë me përparësi në agjendën e tij mundësinë për të vizituar vendin tonë, çka do të përbëjë një ngjarje historike kulmore në marrëdhëniet miqësore tradicionale midis dy vendeve tona”

Raportin e Bankës Botërore
“Vlerësoj raportin si një pasqyre të zhvillimeve pozitive, të cilat tashmë janë cilësuar inspiruese nga komuniteti ndërkombëtar, nga ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në takimin e Lubjanës, nga John HarWard dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar në takimin e Parisit. Unë ju them se çdo ditë reformat e kësaj qeverie do të dalin gjithnjë e më shumë në dritën e diellit. Në kemi përmbushur objektivat tona me reforma të thella, të cilat do të japin çdo ditë e më shumë frytet e tyre”

Statusin e vendit kandidat në BE
“Kjo do të jetë një çështje e negociatave dhe ne do të negociojmë. Unë e mirëkuptoj opozitën dhe kam mirëkuptim për çdo shqiptar që shtyn për të aplikuar për statusin si vend kandidat në Bashkimin Evropian, por gjykoj se nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë një veprim i njëanshëm. Kur shkon e troket tek dera e tjetrit, mund të hysh dhe pa e njoftuar, por i mirëpritur je atëherë kur e ke njoftuar më parë. Kështu që edhe ne do të bisedojmë përpara dhe pastaj do të ndërmarrim aktin”

Vizat
“Marrëveshja në tërësi po funksionon, por me disa mangësi të cilat janë në zgjidhje e sipër nga vetë Komisioni. Kjo marrëveshje është me Komisionin Evropian, i cili është i autorizuar nga të gjitha vendet anëtare pa përjashtim, por teknikalitetet burokratike janë në zgjidhje e sipër. Sidoqoftë ne po bëjmë çdo gjë për heqjen e vizave në mënyrë që shqiptarët të lëvizin të lirë dhe pa viza”

Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›