E Diel, 1 Nëntor 2026

Bordi një mundësi për politikë më të mirë

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama krijoi në qytetin e Shkodrës, Bordin e Dialogut me Shoqërinë, një hapësirë për të gjithë ata që duan të kontribuojnë për politikën, pa qenë domosdoshmërisht anëtarë partie. “Duhet të hapet një hapësirë e re, për të gjithë ata qytetarë të interesuar në jetën e komunitetit dhe vendit të tyre. Është një ide e cila ka lindur nga shqetësimet që burojnë prej faktit se shumë njerëz të vlefshëm, që qytetet tona nuk e kanë luksin t i lënë jashtë vëmendjes dhe pa shfrytëzuar në potencialet e tyre, për fat të keq nuk shërbejnë, sepse partitë politike kanë frikë prej tyre”, - tha Rama gjatë takimit me banorët. Sipas tij hapja e PS-së drejt një grupi më të madh shoqëror, për të patur edhe kontributin e tyre në vendimmarrje është jo vetëm një risi, por edhe një mundësi për ndryshimin e cilësisë së politikës në vend. “Është koha që ne të kuptojmë se në rast se partive u lind ekskluziviteti i politikbërjes dhe i vendimmarrjes, e në rast se partitë nga ana tjetër këtë ekskluzivitet nuk e ndajnë me shumë aktorë dhe faktor, atëherë rezultati është ky që shikojmë dhe nuk mund të jetë tjetër. Në rast se grupet qytetare të presionit ndërtohen dhe funksionojnë duke krijuar shembuj, siç është ky “Bord i Dialogut me Shoqërinë”, të jeni të bindur, se cilësia e politikbërjes do të ndryshojë, cilësia e vendimmarrjes apo ekzekutimit të pushtetit do të ndryshojë”, - tha Rama. Kryesocialisti pohoi se ky bord duhet menduar apo parafytyruar si një urë mes partisë dhe shoqërisë, mes politikës dhe njerëzve, për të bërë të mundur që sa më shumë njerëz t i afrohen politikës.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›