E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flet drejtori i Konsorciumit ARMO, Rezart Taçi

Autori i Lajmit: red.
Konsorciumi i përbërë nga tre kompanitë “Anika Enterprises SA”, “Refinery Associates Of Texas”, “Mercuria Energy Group” ka vlerësuar finalizimin e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e qeverisë së Shqipërisë për blerjen e 85 për qind të aksioneve të kompanisë rafinuese, ARMO. “Konsorciumi dëshiron të shprehë se kompania ARMO do të hyjë së shpejti në një fazë të re të administrimit dhe zhvillimit të saj”, - deklaroi drejtori i Konsorciumit në Shqipëri, Rezart Taçi. “Me një projekt investimi të parametrave modernë, në një shifër prej 240 milionë dollarë amerikanë, për 5 vitet e para konsorciumi do të ndërmarrë hapa për ta sjellë produktin e dy rafinerive të Ballshit dhe Fierit në përputhje me kushtet dhe kërkesat më të mira të tregut”, - vijoi Taçi. Investimi, sipas drejtorit të Konsorciumit, do të përfshijë rinovimin e teknologjisë, infrastrukturën teknike dhe atë profesionale, trajnim të punonjësve, reforma sociale, duke vlerësuar, pa dyshim, përvojën e punonjësve të kompanisë “ARMO”. “Është parashikuar një paketë e rëndësishme për përmirësimin e parametrave të ambientit, pasi në këto vite zona ku janë vendosur dy rafineritë, ajo e Ballshit dhe e Fierit, kanë qenë shumë problematike për ndotjen ambientale”, - u shpreh Taçi. Ai detajoi se shifra prej 50 milionë USD do të investohen në këtë drejtim që brenda disa vitesh të kemi tregues optimalë. “Studimi dhe projekti është përgatitur nga ekspertët më të mirë në këtë fushë, të cilët do të ndjekin nga afër zbatimin e tij”, - deklaroi drejtori i Konsorciumit. Ndërkohë, ai tha se “mirëpret ratifikimin e kontratës nga Kuvendi i Shqipërisë”.
Ky lajm është publikuar: 04/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›