Berisha përdor për fushatë anëtarësimin në NATO
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në përurimin e përfundimit të sistemimit dhe asfaltimit të rrugëve lidhëse të fshatit Luz i Poshtëm, gjatë vizitës së tij në Fushë-Krujë. Kryeministri Berisha u shpreh se fshati Luz i Poshtëm, në të cilin asfalti shkon në çdo derë shtëpie, do ta kishin shumë lakmi pjesa dërrmuese e lagjeve dhe rrugëve të Tiranës.
Duke iu referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Berisha ftoi qytetarët që të votojnë PD-në dhe “të vazhdojnë rrugën e nisur, sepse së bashku kemi realizuar ndryshime epokale. NATO dhe anëtarësimi i Shqipërisë në këtë aleancë ndan epokat në këtë vend. Së bashku ne kemi realizuar transformime të mëdha, në infrastrukturë e në çdo fushë, së bashku ne kemi realizuar rritje të madhe të rrogave dhe pensioneve”, - u shpreh kryeministri. Kryeministri tha se “këto katër vite na kanë dhënë kurajë të madhe, sepse në këto katër vite ne ia kemi dalë të realizojmë projekte edhe jashtë parashikimeve. Kemi asfaltuar mijëra e mijëra metra rrugë në zonat rurale. Vërtet mediat, me shumë të drejtë, ndalen në akset kombëtare rrugore, por unë ju garantoj se, e vlerësuar me kilometra, shumë më të shumta janë kilometrat që ne kemi investuar në rrugët rurale, në infrastrukturën e fshatrave”, - vijoi kryeministri.
28 Mars 2009