Republikanët: Presidenti Topi të marrë masa ndaj prokurorit të çështjes “Gërdeci”
Pas padisë për ndjekje penale ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe prokurorit Sokol Stojani, republikanët kanë përshkallëzuar veprimet politike. Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Grupit Parlamentar të PR-së, Arian Madhi, i ka bërë thirrje Presidentit të Republikës që të marrë masat e duhura ndaj këtyre personave, që, sipas tij, kanë shkelur ligjin duke bërë publike sekretet hetimore. “Prokurori Stojani, në mënyrë të paligjshme, të qëllimshme dhe kriminale, jashtë çdo norme etike dhe ligjore gjatë emisionit ‘Opinion’ të Blendi Fevziut, i ka nisur me dhjetëra mesazhe panelit të gazetarëve duke treguar qartësisht tendenciozitetin e tij në këtë proces, në kundërshtim me ligjin dhe nënshtrimin e tij ndaj urdhrit politik që ai ka
marrë për të krijuar opinionin nëpërmjet medias se z. Mediu është përgjegjës për ngjarjen, gjë që nuk e kanë provuar në asnjë moment të hetimit. Në çdo vend demokratik ku drejtësia është vërtet e pavarur, çdo prokuror, në një rast të tillë, do të largohej për shkak të paligjshmërisë së veprimit të
tij. I kërkojmë autoritetit kompetent që të kërkojë në mënyrë urgjente tabulatet e telefonave të prokurorit Stojani. Në emër të Partisë Republikane i kërkojmë Presidentit të Republikës të ndërmarrë të gjitha hapat institucionale dhe ligjore karshi prokurorit Stojani”, - është shprehur Madhi. Më tej ai ka akuzuar prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, se “për të realizuar qëllimet e saj kriminale në dëm të autoritetit të kryetarit të Partisë Republikane dhe maxhorancës në prag të
zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin duke publikuar fakte të hetimit dhe duke bërë interpretime
publike të tyre”.
28 Mars 2009