E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlament 2005-2009, ngjarjet më të bujshme që ndodhën dhe sherret midis deputetëve

Të gjitha precedentët e ndodhur në këto katër vite, nga protestat me bilbila deri te greva e urisë.

Shaban Sulçe
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe parlamenti aktual nuk mund të ndryshonte nga parlamentet e mëparshme përsa u përket ngjarjeve negative. Gjatë këtyre katër viteve, në Parlament nuk kanë munguar tensionet, polemikat, grushtet, fyerjet dhe kërcënimet midis deputetëve. I vetmi ndryshim pozitiv midis këtij parlamenti, i cili në më pak se 70 ditë do të përfundojë misionin e tij, në krahasim me parlamentet e mëparshme ishte se në të munguan plumbat apo armët. Sa u përket anëve të tjera negative, asnjë ndryshim. Për më tepër, ky parlament do të mbahet mend gjatë edhe për episode të jashtëzakonshme, nga më të pabesueshmet dhe deri te qesharaket.

Sherri për Topallin
Gjakrat në Parlament do të ndizeshin në shkurt të vitit 2006, pasi opozita kishte arritur të fuste në seancë mocionin për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Votimi u zhvillua me tensione dhe debate të ashpra, ku nuk munguan incidentet dhe fyerjet, si dhe përplasjet fizike midis deputetëve Rusmali-Blushi dhe Mediu-Fino. Pavarësisht se mocioni u rrëzua, votat që kërkonin shkarkimin e Topallit ishin 70 të tilla, çka konfirmonin rrjedhje votash nga maxhoranca. Ndërkohë, opozita protestoi pasi e quante votimin antikushtetues, duke qenë se ai u bë i hapur dhe jo i fshehtë.

Babasi, grusht Ballës
Votimi nga ana e deputetëve të PD-së me kartën e Majlinda Bregut, e cila nuk ishte në Parlament për arsye objektive, ka shërbyer si motiv përplasjeje mes deputetit të PD-së Ndriçim Babasi dhe deputetëve socialistë, Ndriçim Hysa dhe Taulant Balla. Këta të fundit, kur kanë parë në elektronikë votën e Bregut, kanë kërcyer në drejtim të deputetit Babasi dhe situata ka degjeneruar deri në përplasje fizike. Deputeti i PD-së, Babasi, është shkëputur nga vendi ku qëndronte dhe ka shkuar drejt deputetit socialist Taulant Balla, të cilin e ka goditur me grushte.

Protesta me bilbila
Qëndrimi i prerë i maxhorancës për të zhvilluar votim të hapur për shkarkimin e Topallit bëri që në Parlament të zhvillohej një formë shumë e veçantë proteste, e cila herë-herë mori edhe pamje qesharake. Deputetët e Partisë Socialiste për disa seanca me radhë protestuan në Kuvend me bilbila, megafona dhe përplasje tavolinash, ku kërkonin ripërsëritjen e votimit për shkarkimin e Topallit dhe votën e fshehtë.

Grushte për votimin
Tensionet dhe sherret për çështjen “Topalli” do të vijonin ditë me radhë në Kuvend. Ndërsa në seancën e 16 shkurtit, ku diskutohej projektligji për legalizimet, në sallë plasi sërish sherri dhe arsyeja ishte e lidhur me kryeparlamentaren Topalli. Ajo seancë do të shënonte rekordin përsa i përket kaosit të krijuar në sallën e Kuvendit, e cila u shndërrua në një arenë boksi.

Shkatërrimi i votimit elektronik

“Nuk të njohim si kryetare. Ktheji nderin Parlamentit. Duhet rivotim”, - kanë bërtitur në kor deputetët opozitarë. Në këtë kaos nuk munguan edhe incidentet me fyerje e goditje, që janë shpeshtuar ditët e fundit mes parlamentarëve. Deputeti Blendi Klosi, në një debat me ministrin e Bujqësisë, Jemin Gjana, i kapi mikrofonin dhe prishi sistemin e elektronik të votimit. Ndërsa jashtë sallës qendrore, deputeti i Shkodrës, Paulin Sterkaj, ka goditur deputetin e Kukësit, Fatos Hoxha.

Dedja, sherr me gardistin
Sherri ka vijuar edhe në lozhën e Kuvendit, pasi punonjësi i Gardës nuk i ka lejuar operatorët që të filmonin atë çka po ndodhte në sallë. Kjo ka bërë që deputeti i PS-së, Taulant Dedja, të replikonte dhe të konfortohej me punonjësin e Gardës së Republikës.
Një moment tjetër interesant gjatë asaj seance kishte për protagonist deputetin e PS-së, Marko Bello, i cili në amullinë e krijuar në sallë ishte ulur te vendi i kryeministrit Berisha dhe prej andej shkëmbente replika me kryeparlamentaren Topalli.

Përjashtimi i deputetëve të PS-së
Amullia e krijuar gjatë seancës së 16 shkurti bëri që maxhoranca të merrte masa për ndëshkime disiplinore ndaj deputetëve të PS-së. Beja numëroi emrat e 4 deputetëve socialistë: Bashkim Fino, Erion Braçe, Ndriçim Hysa dhe Pilo Kerri, të cilët u përjashtuan 15 ditë nga Kuvendi, pas një votimi që solli polemika, sepse nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm.

Filmimi i Gardës
Po gjatë kësaj seance, në Kuvend do të ndodhte një tjetër ngjarje e rrallë. Tre deputetë të PS-së zbuluan në sallë një punonjës të Gardës që filmonte veprimet e tyre dhe zhvillimet në seancë. Deputetët Andis Harasani, Ndriçim Hysa dhe Besnik Dervishi, të irrituar, i kanë rrëmbyer kamerën gardistit dhe kanë kërkuar shpjegime nga nënkryetari Fatos Beja dhe ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi.

Tom Doshi, grusht Solisit
Tom Doshi i demokristianëve, ka goditur me grushte në kafenenë e Kuvendit deputetin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis. Ky i fundit u dëmtua rëndë në pjesën e fytyrës. Sherri kishte marrë shkas pas një shkrimi kritik që kishte bërë në një gazetë të përditshme Solisi për Partinë Demokristiane.

“Çimka” në Kuvend

“Skupi” i radhës do të ndodhte në prill të vitit 2006, kur Parlamenti s’kishte as gjashtë muaj që ishte krijuar. Protagonistë të asaj ngjarjeje ishin deputeti i PD-së Spartak Ngjela dhe kryeministri Sali Berisha. Ata kishin shkëmbyer replika të ashpra gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar demokrat. Biseda u regjistrua dhe u transmetua në emisionin “Fiks fare”. Kjo solli reagimin e ashpër të Berishës, i cili përjashtoi nga grupi parlamentar deputetin Ngjela dhe e shkarkoi nga drejtimi i Komisionit të Ligjeve.

Sherri për komisionerin
Gjakrat do të ndizeshin sërish në verën e vitit 2006, kur në Kuvend do të votohej përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në votim LSI-së iu mohua përbërja në KQZ dhe kjo solli revoltimin e kryetarit të saj, Ilir Meta dhe deputetit Ndre Legisi, të cilët u bënë protagonistë të kaosit të krijuar në sallë. Meta shkëmbeu replika të ashpra me kryeparlamentaren Topalli dhe me deputetë të PD-së. Në sallë pati thyerje karrigesh dhe vazosh, ndërkohë që deputetë të PS-së u solidarizuan me kolegët e LSI-së, duke qenë se po afronin zgjedhjet lokale.

Presidenti
Votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në verën e vitit 2007 solli krizë të madhe parlamentare. Seanca dështoi tri herë, pasi opozita bojkotoi votimin. Por gjashtë deputetë të PS-së thyen vendimin politik dhe morën pjesë në seancën që zgjodhi Bamir Topin president. Gjashtë deputetët e PS-së u përjashtuan, ndërkohë që kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Ben Blushi, dha dorëheqjen.
Misri i Çim Hysës
Skandali që kishte të bënte me farërat skarco të misrit, i cili ndodhi në disa zona të Shqipërisë, u zhvendos në Parlament. Dy deputetë të PS-së, Ndriçim Hysa dhe Andis Harasani, tentuan të fusnin në sallën e Kuvendit disa kallinj misri, në shenjë proteste, por nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës, me të cilët u konfrontuan fizikisht. Për këtë çështje deputetit Harasani i është hequr imuniteti.

Berisha dhe letra higjienike
Tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 shqiptarë, solli rritje të tensionit në Kuvend. Në një prej seancave të zhvilluara, në epiqendër të polemikave ishte artikulli i gazetës “New York Times”, që fliste për implikimin e qeverisë në trafikun e armëve. Po në këtë seancë, kryeministri Berisha do të humbte kontrollin dhe do të jepte një deklaratë të bujshme. “Atë artikull dhe atë gazetë e konsideroj letër higjienike”, - tha Berisha.

Berisha dhe Balla
Ashtu si çdo stinë vere, edhe në atë të vitit 2008, në Parlament nxehen sërish gjakrat. Sërish protagonist kryeministri Berisha. Pas emërimit të ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, deputeti i PS-së, Taulant Balla, tha se në familjen e kryeministrit Sali Berisha kishte plasur sherri, sepse, sipas tij, vajza e tij, Argita, kish dashur të bëhej ministre. Kjo deklaratë solli një reagim të jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë të kryeministrit Berisha, i cili e shau nga nëna dhe motra deputetin Balla. Kjo ngjarje u cilësua skandaloze.

Topalli dhe Balla
Po aq skandaloze u konsiderua edhe shprehja e kryetares Topalli në drejtim të deputetit Balla. “Kapeni prej zhelesh!” - iu drejtua Topalli gardistëve, për të larguar me forcë deputetin Balla.

Greva e urisë
Rast i paprecedent në historinë e parlamentarizmit ishte greva e urisë së 11 deputetëve të Kuvendit, të LSI-së, PDK-së dhe PS ‘91. Deputetët zgjodhën këtë lloj proteste për të kontestuar Kodin e ri Zgjedhor, i cili nuk garantonte votën e lirë dhe numërimin e drejtë të votave. Greva zgjati 8 ditë dhe disa prej deputetëve patën gjendje të rënduar shëndetësore, ndërkohë që greva e urisë u ndërpre, pasi PS dhe PD ishin të vendosura për të kaluar Kodin.

Sherri për moralin
Skandali seksual i ministrit Pango do të zhvendosej në Kuvend, ku deputetët e të dy krahëve polemizuan ashpër me akuza të ashpra dhe me përmendje skandalesh seksuale ndaj njëri-tjetrit.

Të gjithë në foto
E bujshme dhe e rrallë mund të konsiderohet edhe ajo çka ndodhi dy ditë më parë. Me rastin e miratimit të projektligjit për anëtarësimit në NATO, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës duket se lanë mbrapa gjithçka të ndodhur gjatë këtyre katër viteve dhe pozuan të gjithë së bashku, në një foto në hyrje të Kuvendit, me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

28 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›