Berisha “voton” sot për kreun e PD-së së Durrësit
Eljona Ballhysa
Në një moment kur dukej se lidershipi i kishte harruar zgjedhjet brenda partisë, kryeministri Berisha vendos të aktivizohet në këtë proces. Gjatë ditës së sotme ai do të marrë pjesë në Kuvendin e degës së PD-së së Durrësit, ku do të mbahen zgjedhjet për postin e kryetarit. Në garë për këtë post janë deputeti Genc Juka dhe anëtari i kësaj dege, Igli Cara. Ndërkohë që nuk bëhet e ditur përse janë hequr nga kandidimi emrat e propozuar nga anëtarësia e degës, siç është emri i Gazmend Oketës dhe ai i Ferdinand Xhaferrajt. Por burimet kanë bërë të ditur se i pranishëm në zgjedhjet e degës së PD-së së Durrësit do të jetë vetë kreu i PD-së, Sali Berisha. Duket se Berisha ka zgjedhur të kontrollojë proceset zgjedhore dhe zhvillimet partiake në ato qytete që sigurojnë më shumë mandate për deputetë. Gjatë kësaj fundjave pritet të zhvillohen zgjedhje edhe për kreun e PD-së së Elbasanit dhe të Vlorës. Të tria qarqet janë tejet të rëndësishëm, pasi kanë numrin më të lartë të mandateve për deputetë. Në bazë të Kodit Zgjedhor, Durrësi nxjerr nga zgjedhjet e 28 qershorit 13 deputetë, Elbasani 14 dhe Vlora 12.
Kandidatët
Larg syrit dhe vëmendjes së medias, por edhe anëtarëve të tjerë të PD-së, kjo parti duket se është në fazën përmbyllëse të zgjedhjeve në degët kryesore të saj. Pas zgjedhjes në heshtje të kryetarëve të degëve të qyteteve periferike, gjatë kësaj fundjave gara do të zhvillohet në qytetet e mëdha. Sot, në orën 10:00, do të zhvillohet Kuvendi i degës së Durrësit, ku do të garojnë për postin e kryetarit Genc Juka dhe Igli Cara. Po gjatë kësaj fundjave janë parashikuar të zhvillohen zgjedhjet në degën e PD-së së Vlorës dhe të Elbasanit. Në Vlorë gara do të zhvillohet midis deputetit Ardian Kollozi dhe anëtarit të kryesisë së kësaj dege, Gent Hamzaraj. Ndërsa në Elbasan gara do të zhvillohet midis Luçiano Boçit, prefekti aktual i qarkut, Shefqet Deliallisi dhe zëvendësrektorit të universitetit, Ali Turhani.
Burimet kanë bërë të ditur se në shumicën e degëve të PD-së, anëtarësia ka propozuar të tjerë emra nga ata që janë në kandidim. Sipas burimeve, emrat që janë në kandidim janë të “porositur” nga lart. Megjithëse Kryesia e partisë nuk është mbledhur zyrtarisht për të diskutuar propozimet, Berisha ka aktivizuar anëtarë të kabinetit qeveritar në kuvendet e degëve. Kështu, javën e kaluar në Kuvendin e degës së Fierit ishin të pranishëm ministrat Olldashi e Alibeaj, ndërsa në degën e PD-së së Peqinit ishte i pranishëm ministri Basha. Ministrat duket se kryejnë rolin e inspektorëve në mënyrë që të zgjidhet kandidati i “porositur” nga lart.
Procesi
Pas përfundimit të kuvendeve të degëve të PD-së së qyteteve kryesore të vendit, mësohet se procesi zgjedhor dhe e gjithë vëmendja e lidershipit do të përqendrohet në zgjedhjet për kreun e PD-së së Tiranës. Megjithëse ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohet kuvendi i degës së Tiranës, mësohet se i gjithë procesi zgjedhor në PD do të mbyllet brenda muajit të ardhshëm, në mënyrë që partia të nisë përgatitjen për fushatën zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë. Në fund të muajit prill, sipas Statutit, PD-ja duhet të mbledhë dhe Kuvendin Kombëtar, i cili do të zgjedhë kryetarin e partisë dhe do të votojë programin elektoral të PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit.
28 Mars 2009