E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha përfundon bisedimet me aleatët për koalicionin

27/04/2005  “Nëse Nano nuk heq dorë nga Megadushku do të përdorim një skemë të veçantë”

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar dje përfundimin e bisedimeve me aleatët për koalicionin e opozitës në zgjedhjet parlamentare të kësaj vere. Në një prononcim për shtypin, Berisha është shprehur për konkludimin e bisedimeve me Partinë Demokrate të Reformuar, e cila është forca që ka sjellë më shumë debate mes opozitës. Gjithsesi në prononcim është theksuar se opozita ka gati dy formula me të cilat mund të përfaqësohet në parlament. Mes tyre do të vendoset vetëm pasi socialistët të kenë votuar për amendamentin që ka paraqitur opozita për antidushkun.

Skemat

"Skema ime do të përdoret nëse Nano do të hedhë poshtë amendamentin antidushk. Ky amendament nuk synon asgjë tjetër, veçse barazimin e forcës elektorale. Në rast se nuk përdorim atë skemë, atëherë çdo votues socialist do të ketë peshë 1.5, kundrejt 0.7 që do të mbetet fuqia elektorale për forcat e tjera politike. Është skemë antidushk. E ftoj Nanon të heqë dorë nga Dushku dhe të firmosë amendamentin që kam dërguar në Kuvend", tha Berisha. Në këtë mënyrë, kreu i PD-së ka zbardhur dhe formulën që do të përdoret për t'iu kundërvënë socialistëve. Partitë e vogla të opozitës do të grupohen në një koalicion, për të krijuar mundësinë që një parti të hyjë në Kuvend dhe me 0.7 për qind të votave. Sipas Berishës, "skema është e vetmja rrugë që barazon peshën e votës në dy grupimet e mëdha pozitë-opozitë. Urdhëro ku është amendamenti, e kanë firmosur mbi të PD, në mënyrë që vota për kandidatin e PD-së të jetë edhe votë për subjektin".

Takimi

Pas përfundimit të takimit me kreun e PDR-së, Genc Pollo, Berisha tha se shikon që opozita po gjen gjuhën e përbashkët për të ecur e sigurtë drejt një fitoreje të përmasave të thella. "Gjykoj se ky proces po ecën me një frymë përgjegjësie të lartë konstruktiviteti të madh dhe është një lajm i gëzuar për të gjithë popullin opozitar, por edhe për të gjithë miqtë e opozitës në Evropë dhe Botë", tha Berisha. Sipas tij, e rëndësishme është se opozita është në një proces bashkëpunimi. "Është formuar koalicioni i fitores së përbashkët. Kandidatët tanë kanë si thelb fibrën qytetare intelektuale që do të përfaqësojë PD-në dhe aleatët në zgjedhje".

Kandidatët

Duke mbështetur deklaratat e përfaqësuesve të KE-së dhe të NDI-së, për të mos lejuar kandidimin e personave që kanë konflikt ekonomik, Berisha tha se, "ka shqetësim të madh ndërkombëtar për shkak të kandidaturave, të cilat janë me dosje të rënda brenda dhe jashtë vendit dhe që kërkojnë me paratë e pista të krijojnë imunitet për to".

Amendamenti “antidushk”

Marrëveshja te Sheraton

Pollo: Rotacioni nën siglën e djathtë plurale

Pas takimit kreu i PDR-së, Genc Pollo, tha se "me zotin Berisha ramë në parim për unifikimin e kandidaturave tona në mazhoritar, me synim maksimizimin e mandateve në 100 zonat zgjedhore njëemërore për opozitën. Kjo do të thotë, që një pjesë më e vogël e qindëshes do të propozohet nga Partia Demokrate e Reformuar, ndërsa pjesa kryesore nga PD-ja. Ramë dakord edhe për sintonizimin e disa aktiviteteve politike. Mendoj se kjo marrëveshje që pritet të formalizohet në ditët e ardhshme është një shërbim i mirë, që i bëhet objektivit strategjik të partive tona, për një rotacion demokratik të pushtetit që do të ndodhi nën siglën e një të Djathte Plurale". Burimet thanë se mes PD-së dhe PDR-së është arritur në bashkëpunim për tri zona të lira. Megjithatë gjithçka do të vendoset vetëm pasi të jetë përfunduar votimi për amendamentin e formulës anti-dushk. Ndërsa mësohet se në takimin e zhvilluar në Sheraton, ku është deklaruar përfundimi i bisedimeve ka marrë pjesë nga PD-ja, Sali Berisha dhe Ridvan Bode, ndërsa nga PDR-ja Genc Pollo dhe Nard Ndoka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›