E Diel, 1 Nëntor 2026

“Motra jonë ‘u zhduk, pas dhunës nga i shoqi”

27/04/2005  Vëllezërit dyshojnë se ajo është vrarë dhe denoncojnë në polici

Të shtunën dy vëllezërit kishin biseduar me vajzën 14-vjeçare të gruas së zhdukur, e cila u ka thënë dajallarëve së nëna ishte rrahur nga babai dhe më pas të dy kishin dalë jashtë shtëpisë. Pas kësaj kohe, e mitura u kishte pohuar të afërmve se nëna nuk ishte kthyer më në shtëpi. Për këtë arsye dy nga familja e prindërve të vajzës, si dhe një nip i tyre kanë marrë rrugën për të kërkuar motrën e tyre

DURRËS - Një grua e moshës 35-vjeçare është larguar nga banesa e

saj, që prej ditës së shtunë. Familjarë e të afërt të Gjona Ndreut, nënës së katër fëmijëve, kanë kërkuar nëpër njerëzit e tyre dhe më pas i janë drejtuar policisë së Durrësit, për të bërë të mundur gjetjen e saj.

Denoncimi

Kanë qenë dy vëllezërit e 35-vjeçares Ndreu, ata që kanë vënë në dijeni dhe kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë së Durrësit. Të afërmit e gruas së zhdukur, kanë bërë kallëzim mbrëmjen e së hënës, ndërsa dje janë paraqitur për të dhënë shpjegime në polici. Pas mesditës së djeshme, dy vëllëzërit e saj si dhe një nip i familjes Ndreu, kanë trokitur te drejtoria e policisë së qarkut, ku kanë shpjeguar rrethat si dhe kanë deklaruar edhe për marrëdhëniet e motrës së tyre me bashkëshortin e saj.

Nga burimet e policisë, mësohet se ata u kanë pohuar uniformave blu se vinin nga një fshat i thellë i Pukës, pasi motra e tyre, banuese në Durrës nuk u ka dalë në telefon.

Sipas pohimeve që ata kanë bërë, mësohet se 35-vjeçarja prej disa viteve është shpërngulur nga një fshat i Tropjës së bashku me burrin, Kol Bebkolaj dhe katër fëmijët. Familja me gjashtë anëtarët është vendosur në një ndërtesë provizore në Porto-Romano dhe kushtet e vështira ekonomike kishin shkaktuar probleme mes çiftit. Sipas vëllezërve të Ndreut, motra e tyre është keqtrajtuar disa herë nga i shoqi dhe në të gjitha rastet, që ata kanë kërkuar shpjegime kanë ndeshur në përçmimin e dhëndrit.

Zhdukja

Nga pohimet e tyre mësohet se, të shtunën ata kanë biseduar me vajzën 14-vjeçare të familjes, e cila u ka thënë dajallarëve se nëna ishte rrahur nga babai dhe më pas të dy kishin dalë jashtë

shtëpisë. Pas kësaj kohe, e mitura u kishte pohuar të afërmve se nëna nuk ishte kthyer më në shtëpi. Për këtë arsye dy nga familja e prindërve të vajzës, si dhe një nip i tyre kanë marrë rrugën për të kërkuar motrën e tyre. Ata kanë thënë në polici se Bebkola, i cili kishte vuajtur tre vite burg disa kohë më parë, nuk u ka dhënë asnjë shpjegim për fatin e Gjona Ndreut.

Sipas tyre, 35-vjeçarja është keqtrajtuar në prani të katër fëmijëve, të cilët nuk kanë mundur të qetësojnë me lutje e të qara babanë e tyre, që ka ushtruar dhunë duke i shkaktuar plagë në trup. Të afërmit e gruas së deklaruar prej tyre të humbur, dyshojnë që ajo mund të jetë ekzekutuar dhe kanë kërkuar që policia të zbardhë të vërtetën për fatin e saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›