E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi kërkon shtyrjen e afatit për listën përfundimtare të zgjedhësve

27/04/2005  OSBE i jep ministrisë qendrën kompjuterike për heqjen e emrave të dubluar

Ministria e Pushtetit Vendor ka kërkuar dje shtyrjen e shpalljes së listave përfundimtare të votuesve. Ministri Ben Blushi ka theksuar dje se i ka kërkuar komunave dhe bashkive që të sensibilizojnë qytetarët për të kërkuar emrin e tyre në listë. Ndaj dhe koha e lënë në dispozicion nuk është e mjaftueshme. Blushi ia ka paraqitur kërkesën prezencës së OSBE-së dhe Këshillit të Evropës. Gjithashtu, Blushi ka përshëndetur qendrën kompjuterike të dhënë nga OSBE-ja, për pastrimin e emrave të përsëritur në listat e votuesve. "Qendra kompjuterike e pastrimit të dublimeve të listave zgjedhore, e ngritur pranë MPVD, garanton se do të kemi një pastrim të regjistrave të zgjedhësve në bashki dhe komuna shumë më efikase se sa e pritshmja, duke iu përgjigjur kështu atyre që kanë pasur dhe kanë mosbesim te listat e zgjedhësve", tha Blushi. Sipas tij, ngritja e kësaj qendre nuk do të ndryshojë metodologjinë e hartimit të listave zgjedhore, pasi përgjegjësia mbetet te kryetarët e bashkive dhe të komunave. Kjo qendër do t'u bëjë një raport këtyre bashkive dhe komunave në rastet kur ka emra që gjenden 2 herë në lista, apo do t’i japë një mundësi këtyre bashkive dhe komunave për të minimizuar ato gabime njerëzore që mund të jenë bërë. "Qendra operacionale e dublimeve mbetet e hapur për të gjithë aktorët politikë që janë të interesuar për të mbikëqyrur hartimin e listave zgjedhore, duke nisur që me komisionin e ngritur posaçërisht për këtë qëllim", nënvizoi Blushi. Ai bëri të ditur se në ministri kanë mbërritur 100 për qind të listave paraprake të të gjithë komunave dhe bashkive, edhe pse disa prej tyre nuk arritën t’i dorëzonin në kohë. "Ne do të vazhdojmë të rrisim cilësinë e listave të zgjedhësve, duke sensibilizuar komunat dhe bashkitë, të cilat duhet të jenë sa më komunikuese me shtetasit, në mënyrë që ata të kenë mundësi të verifikojnë emrat e tyre në listat e shpallura", përfundoi ministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›