E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përgatit manipulimin e zgjedhjeve, socialistët kërcënojnë me bojkot

400 mijë shtetas pa karta identiteti, PS i kërkon  Nishanit listën e votuesve pa pasaportë
Megjithëse bënë një akord të madh me Sali Berishën për të bërë një kod zgjedhor skandaloz për hir të interesave të momentit, socialistët shqiptarë më në krye Edi Ramën po kuptojnë se gjithçka bënë me kodin Elektoral dhe ndryshimet kushtetuese po kthehet në bumerang. Tashmë Sali Berisha është i vendosur të fitojë edhe këto zgjedhje të cilat i japin përfundimisht lirinë e duhur për të shtënë përfundimisht në duart e tij  institucionet e pavarura shqiptare dhe për të mbyllur gjyqet e korrupsionit, të cilat fillojuni me Gërdecin dhe vazhdojnë me korrupsionin galopant që është shtrirë në të gjithë strukturën dhe superstrukturën shtetërore. Kryesocialisti Rama i zhytur në llumin që gatoi vetë, tashmë e ndien se kodi Elektoral ishte një nga shërbimet më të mira që mund ti bënte Sali Berishës, i cili në 28 Qershor ka vendosur të kryejë vetëm zgjedhje formale pasi mesa duket rezultatin e ka vulosur në tavolinën e tij. Mospajisja e qytetarëve me karta identiteti është një nga gangrenat e këtyre zgjedhjeve. Nga 700 mijë shtetas pa pasaporta kanë aplikuar vetëm 300 mijë persona deri në datën 19 Maj. Sipas urimeve të sigurta pjesa kryesore e pajisur i përket militantëve demokratë të cilët Sali Berisha i pajisi që ditët e para me sponsorizimet e qeverisë, ndërkohë që militantët socialistë nuk e kanë këtë mundësi. Shifra prej 400 mijë personash pa karta identiteti është një përqindje e konsiderueshme porsa i përket votuesve shqiptarë. Nëse të regjistruar janë rreth 3.1 milionë persona, nëse llogarisim rreth 60 përqind pjesëmarrje që do të thotë 180 mijë votues, mungesa e 400 mijë personave në këto zgjedhje lë pa votuar rreth 20 përqind të elektoratit pjesëmarrës në zgjedhje. Po të llogaritet fakti që demokratët kanë pajisur militantët e tyre, kjo kthehet në një goditje shumë e fortë për të majtën e cila hyn me humbjen e garantuar në zgjedhje. Në këto kushte Edi Rama prej ditësh ka nxjerrë Kastriot Islamin i cili në emër të PS paralajmëron bojkotin e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
PS, letër Nishanit dhe ndërkombëtarëve ( mes titull)
Pas shumë daljesh dhe protestash për parregullsitë e procesit parazgjedhor, Partia Socialiste, edhe ditën e djeshme shprehu shqetësimin e saj për mospasjen e të gjithë shtetasve shqiptarë me letërnjoftimin elektronik. Kohët e fundit shqetësimet e ngritura nga kampi rozë për procesin e kartave të identitetit kanë pasur në qendër të tyre probleme të shumta. Nisur nga këto mangësi që ata kanë vërejtur në këtë proces, opozita madje ka paralajmëruar edhe bojkotin e zgjedhjeve nëse nuk do të gjendet zgjidhje për to. Duke u ndalur tek shqetësimi i mospasjes me letërnjoftim elektronik të shtetasve shqiptarë që nuk disponojnë pasaportë, ata shprehin shqetësimin se ky akt jo vetëm përbën një cenim të të drejtës kushtetuese të votës, por mbi të gjitha ata shprehin rrezikun e manipulimit të zgjedhjeve, ndaj dhe ngrenë zërin për gjetjen e një zgjidhje brenda fundit të këtij muaji. Nisur nga interesimi i tyre për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare, këtë radhë socialistët kanë shkuar edhe më tej, nëpërmjet një letre dërguar Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishanit, ambasadorit Bosch, drejtueses së misionit të ODIHR, Glover, kanë kërkuar brenda datës 30 maj të dhëna për shtetasit me dhe pa pasaportë si dhe numrin e shtetasve që kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik. Ju kërkojmë që brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion: Listën e votuesve me pasaportë, kjo e dhënë duhet të jetë e përditësuar me të dhëna deri në datën 20 maj 2009; listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar të përditësuar me të dhënat e datës 20 maj 2009 dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin, të përditësuar me të dhënat e datës 20 maj 2009, shkruhet në letrën e PS. Partia Socialiste deklaron se kërkesa e saj niset nga shqetësimi për pamundësinë e pajisjes me karta, të një numri të konsiderueshëm votuesish, që do të pengojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë letër, Partia Socialiste rikujton se e drejta e votës është një e drejtë kushtetuese e cila sipas Kodit Zgjedhor realizohet me pasaportë ose letërnjoftime. Ndër të tjera në këtë letër, socialistët kujtojnë edhe konsensusin që kanë dhënë gjatë hartimit të Kodit Zgjedhor, për nenin që parashikon përdorimin e pasaportës ose të letërnjoftimit si mjet identifikimi për të garantuar realizimin e të drejtës së votës dhe njëkohësisht për të shmangur manipulimet në zgjedhje. Ata ngrenë shqetësimin se detyra e pajisjes me pasaportë apo letërnjoftime e të gjithë zgjedhësve prezentë në listën e votuesve duket e pamundur të realizohet duke vënë në rrezik dështimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet demokratike. Do të ishte me interes të kishim dijeni gjithashtu për opsionet eventuale të zgjidhjes që do të mundësonin të gjithë votuesit pa pasaportë, të cilët nuk kanë mundur të aplikojnë për letërnjoftim për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit. Ju lutem na dërgoni informacionet e kërkuara dhe opsionet e zgjidhjes. Analiza e këtyre informacioneve dhe vlerësimet përkatëse do të jenë në themel të qëndrimit të PSSH ndaj këtij aspekti përcaktues të procesit zgjedhor, thuhet në letrën e PS-së. Me shpresën për një përgjigje pozitive për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standarde demokratike ndërkombëtare, opozita shpreh gadishmërinë maksimale për pjesëmarrjen konstruktive të PSSH në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendi. Ndërkohë në letër theksohet se PS është e gatshme të angazhohet maksimalisht për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›