E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Qeverisja ime bëri krenar gjithë shqiptarët

27/05/2009  Asambleja parlamentare e NATO-s

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori dje pjesë si e ftuar speciale e samitit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Këshillit Atlantikut të Veriut, që u mbajt në Oslo të Norvegjisë. Kryeparlamentarja u shpreh krenare për qëndrimin e flamurit të shqiptarëve për herë të parë përkrah flamujve të vendeve të Aleancës, duke ia faturuar këtë krenari qeverisjes së saj. “Anëtarësimin në NATO ne nuk e kemi konsideruar kurrë si dhuratë. Ky anëtarësim është sa fryt i reformave dhe përpjekjeve të suksesshme të bëra në vitet e fundit, aq dhe një kapitull i ri detyrimesh dhe sfidash”, - theksoi ajo. Duke përmendur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit si sfidën kryesore që Shqipëria ka përpara, ajo i ftoi të pranishmit të jenë monitorues të këtyre zgjedhjeve. Topalli gjatë qëndrimit do të takojë përfaqësues të lartë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Parlamentit norvegjez. Në ceremoninë e djeshme si i ftuar special ishte edhe kryetari i Parlamentit kroat Luka Bebiç dhe të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, Presidenti i Asamblesë Parlamentare John Tanner, Kai Eide, i dërguari special i UN-së për Afganistanin etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›