E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha përgënjeshtron Ramën: E djathta e bashkuar

13/03/2012  Kryeministri kërkon konsensusin e opozitës për imunitetet, i përgjigjet kreut të saj

Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së siguroi se e djathta është e bashkuar. Ndonëse nuk ka dashur të bëjë komente të zgjeruara, ai iu përgjigj liderit të PS-së Edi Rama për deklaratat e tij të fundit mbi zhvillimet politike si përmes deklaratave të shtypit, ashtu dhe përmes editorialeve. “Unë i them zotit Rama se nga themelimi i PD-së e deri më sot ka një histori. Kanë dështuar të gjithë ata që janë përpjekur tua servirin sapunin për djathë. Atë faqeziun nuk e votoi që ta shkarkonim nga KLD-ja, sepse nuk guxonte të votonte. Tani derdh lot krokodili se po çahet e djathta. Megjithatë, mendoj se komenti më i mirë për të gjitha këto është no coment”, - tha Kryeministri në fjalën e tij. Madje Berisha ka ironizuar përpjekjet e Ramës “për tu bërë arkitekt i së djathtës”. “Por zhvillimi më interesant, siç e keni konstatuar, në të gjitha ciu-ciut e javëve të fundit dhe editorialet është përpjekja e zotit Rama për tu bërë arkitekt i të djathtës. Pasi e ndriçoi të majtën, e udhëhoqi nga disfata në disfatë, tani si tia bëjë me të djathtën. Këtu ka një bizantinizëm të vogël brenda: kujt do tia hedhë Bamirin në prehër. Ekzakt. Pasi e detyroi të votojë etj., etj., tani e ka kapur halli se në çferrë do ta vendosë”, - tha kreu i qeverisë. Në fjalën e tij në grup Kryeministri preku edhe miratimin në parim nga Komisioni i Ligjeve të ligjit për Gjykatën Administrative. Duke uruar që fryma e konsensusit të ndjekë procesin deri në miratimin përfundimtar të ligjit, ai kërkoi nga socialistët që të tregojë vullnet politik edhe për miratimin e ligjit që synon kufizimin e imunitetit të zyrtarëve. “Të vetmen gjë që urojmë është që të mos e përdorin për të pritur ndonjë datë tjetër kur do të diskutohet për Shqipërinë për ta bllokuar. Uroj të marrin kohën e tyre, të kenë konsultime të gjëra që, ndonëse janë bërë, le të bëhen përsëri, nuk ka asnjë kundërshtim. Unë uroj gjithashtu dhe bëj thirrje që të njëjtin vullnet të tregojnë dhe për ndryshimin e imunitetit, kufizimin e imunitetit”, - kërkoi Kryeministri. Jashtë politikës partiake dhe brenda asaj qeveritare shefi i ekzekutivit premtoi uljen e çmimit të internetit, madje deklaroi se po bëhen përpjekje që shqiptarëve tu afrohet edhe falas. “Posta Shqiptare ka përgatitur masterplanin për të hapur edhe 1200 pika të tjera të dhënies së internetit falas”, - lajmëroi ai.

Ramanë në “Twitter”: Në qeveri janë politikanët që merren me biznes

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka reaguar dje lidhur me deklaratat e Kryeministri Berisha. “Në PS kanë hyrë biznesmenë që merren me politike, në qeveri kanë hyrë politikanë që merren me biznes. KM shan të parët, sepse hyn tek të dytët”, - shkruan Rama në profilin e tij në rrjetin social “Twitter”. Ndërkohë kundërvënien e tij ndaj lidershipit demokrat dhe vetë kampit blu kreu i PS-së e ka trajtuar gjerësisht dhe në një editorial të publikuar pak ditë më parë. “Çarja më tresh e PD-së është një fakt që ka çoroditur ende më keq qeverinë dhe komunikimin me publikun të shumicës së mbetur në qeveri. Lufta "vëllavrasëse" në kampin e djathtë sapo ka nisur. Përpjekja e dëshpëruar e Kryeministrit për ta shpëtuar nga mbytja në detin e korrupsionit anijen e vet të mbingarkuar me plaçkën e piraterisë qeveritare ka në shënjestër dy rebelët, që kanë marrë pas vetes dy PD-të e shkëputura prej trupit të rrënuar të PD-së së tij. Është një luftë e re brenda llojit, ku vëllezërit e djeshëm janë bërë armiq të betuar të njëri-tjetrit”, - vlerëson Rama ndër të tjera lidhur me zhvillimet në këtë kamp.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›