E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomacia shqiptare përfaqëson Kosovën

13/03/2012  Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dje marrëveshjen e arritur me shtetin kosovar

Marrëveshja mes MPJ-ve respektive e vlefshme në shtetet pa ambasadë

Shqipëria do të përfaqësojë Kosovën në shtetet ku ajo nuk ka përfaqësi diplomatike. Është kjo marrëveshja e miratuar dje nga Komisioni parlamentar për Politikën e Jashtme në kuadër të projektligjit. “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e përfaqësimit konsullor”. Marrëveshja synon të intensifikojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në mbrojtje të interesave të shtetasve të tyre. Bashkëpunimi do të shtrihet në ato vende ku njëra prej palëve nuk ka përfaqësi konsullore. Ky parim i përfaqësimit të ndërsjellë mbështetet në praktikën e së drejtës ndërkombëtare të pasqyruar në nenin 8 të Konventës së Vjenës për marrëdhëniet konsullore. Kështu, shtetasit kosovarë me banim në Greqi, Spanjë, Rumani dhe Egjipt do t’u drejtohen tashmë ambasadave shqiptare për t’u pajisur me pasaportat kosovare apo për të marrë shërbime të tjera. Efektet financiare për Shqipërinë në këtë rast do të kenë kosto zero, pasi të gjitha pajisjet dhe materialet do të financohen nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ndërkohë që ambasadat shqiptare do të kryejnë vetëm shërbimet. “Tregu është i vogël për secilin vend, po nëse ne shkojmë duke ndihmuar njëri-tjetrin me vendet e tjera të vogla rreth e qark rajonit, pa asnjë dyshim do të jetë me përfitim për të gjithë. Sepse, nëse mbrohet një biznes si në Shqipëri, si në Mal të Zi, si në Kosovë, si në Maqedoni, Brazil apo Argjentinë, vende të largëta, ku shtetet tona nuk mund të kenë secili shërbimet e tyre, pa asnjë dyshim përfitimi është i të gjithëve”, - tha Fatos Beja, kryetar i Komisionit të Jashtëm. Kosova në të gjithë Europën ka gjithsej 21 përfaqësi diplomatike. Sot në Prishtinë ndodhet një delegacion nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, që diskuton me palën kosovare mbi shtetet e para ku do të aplikohet kjo marrëveshje. Kërkesa për përfaqësim konsullor që i paraqitet një pale nga pala tjetër mban parasysh mundësitë fizike dhe administrative të secilës përfaqësi konsullore ku kërkohet ky përfaqësim.

Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do t’i shërbejë mbrojtjes së të drejtave të shtetasve dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve tona. Në përfundim anëtarët e Komisionit ranë dakord për miratimin e marrëveshjes edhe në seancë plenare.

Marrëveshja

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare në fushën e përfaqësimit konsullor synon të intensifikojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në mbrojtje të interesave të shtetasve të tyre. Bashkëpunimi do të shtrihet në ato vende ku njëra prej palëve nuk ka përfaqësi konsullore dhe përfaqësia e palës tjetër do të marrë përsipër përfaqësimin konsullor. “Pasi palët të bien dakord në rrugë diplomatike për përfaqësimin e ndërsjellë, ato do të lidhin një protokoll për çdo rast përfaqësimi, ku do të përcaktohen hollësisht procedurat dhe rregullat e përfaqësimit në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtar dhe praktikat më të mira konsullore”, – thuhet në relacionin bashkëngjitur me marrëveshjen Kosovë–Shqipëri. Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje do t’i shërbejë mbrojtjes të së drejtave të shtetasve dhe forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella ndërmjet vendeve tona.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›