Prokuroria zbardh skemën e vjedhjes së zgjedhjeve të 8 majit, në Dajç
Në një kohë kur nga zhvillimi i zgjedhjeve lokale po mbushet një vit, kandidati i Partisë Socialiste për komunën Dajç ka dhënë një shembull për tu pasur në konsideratë. Rrok Rroku kishte ngritur kallëzim penal ndaj tetë komisionerëve të administrimit të procesit zgjedhor të 8 majit me pretendimin se ishte rritru në mënyrë fiktive numri i votuesve që kishin marrë pjesë në këtë proces.
Pas verifikimeve të kryera, Prokuroria i ka dhënë të drejtë kandidatit të PS-së. Kallëzimi i Rrokut ishte ngritur ndaj anëtarëve të komisionit të votimit të Qendrës së Votimit me Nr.0699, qendër në të cilën kishin votuar 264 persona nga 300 votues gjithsej.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se prej 264 votuesve, të cilët rezultonin se kishin votuar sipas listës përfundimtare të zgjedhësve të QV me Nr.0699, 62 persona rezultonin zyrtarisht se ndodheshin jashtë shtetit në datën 8 maj 2011. Nga lista përfundimtare e zgjedhësve, rezulton se prej shtetasve që kishin votuar 55 shtetas kanë votuar duke përdorur si mjet identifikimi pasaportat e vjetra.
Gjithashtu ka rezultuar se 11 numra pasaportash të shënuar në listën përfundimtare të zgjedhësve krahas emrave të votuesve, për votuesit që kishin votuar me pasaportat e vjetra, nuk u përkisnin në fakt numrave të pasaportave reale me të cilat ishin pajisur këta votues. Po ashtu rezultonte se në listën përfundimtare të zgjedhësve rezultonin numra pasaportash të cilat nuk ekzistonin fare të ishin lëshuar nga organet kompetente shtetërore. Komisionerët gjithashtu kanë falsifikuar firmat e votuesve fiktivë dhe kanë votuar edhe për familjarët e tyre.
“Gjykata ka provuar plotësisht se të pandehurit Lulzim Paloka, Ndoc Marku, Mark Kola, Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku kanë kryer respektivisht veprat penale të Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim, dhe të Falsifikimit të dokumenteve dhe rezultateve të zgjedhjeve të kryer në bashkëpunim. Në këtë mënyrë është kërkuar, gjykim i çështjes penale Nr.305 të vitit 2011 në ngarkim të tyre”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Rezultati i shpallur nga KQZ për këtë komunë tregon se kandidati i koalicionit Aleanca për Qytetarin Gjergj Doçi ka fituar me një diferencë prej 200 votash. Kandidati i PS-së kishte ankimuar parregullsitë në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor por ato nuk i kishin marrë parasysh pretendimet.
Florenc Stafa