E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përgëzon Petroliferën: Nuk mund të infektohemi nga antiglobalizmi

Pavarësisht debateve publike dhe protestave të organizuara para pak kohësh, projekti i madh i ndërtimit të depozitave të naftës dhe gazit në Pyllin e Sodës nga kompania italiane Petrolifera, po vazhdon. Pranë këtij projekti ishte dje Kryeministri Berisha, i cili ka falënderuar kompaninë për punën cilësore që ka bërë. Kryeministri tha se investimi madhor prej 55 milionë eurosh është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për Vlorën, por për mbarë Shqipërinë. Kryeministri vlerësoi kompaninë për transformimin e kësaj zone të dominuar nga karbonati i kalciumit, soda kaustike dhe derivatet e saj toksike dhe shndërrimin e saj në një vend ku po ndërtohet një vepër madhështore e energjitikës. “Me teknologjinë e fundit po ndërtohen depozitat, depot e gazit dhe porti i anijeve. Kompania po punon me vendosmëri të madhe për përmirësimin e mjedisit. Ajo po inkapsulon mërkurin nën vëzhgimin e rreptë të agjencisë së mbrojtjes së mjedisit. Për ata të cilët janë fansat e skupeve dhe thonë se Sali Berisha po shet rërën e Vlorës, më lejoni të informoj se Sali Berisha me kompanitë që ka kontraktuar po furnizon Vlorën me rërë. Rreth 150-200 mijë m3 rërë të marra nga deti, pasi janë analizuar janë dërguar në plazhin e Vlorës”, - tha Kryeministri. “Gjithçka këtu, - vijoi Kryeministri, - nafta, gazi, ndërtimet dhe porti janë të standardeve më të mira”. “Jam shumë i kënaqur që drejtuesi i kompanisë dhe investitorët e tjerë italianë dhe investitorët e tjerë të huaj shohin se Sali Berisha mban fjalën. Para zgjedhjeve të viti 2005 unë prita në zyrë ambasadorin tuaj. Unë e sigurova atë se Partia Demokratike do ta mbështesë plotësisht këtë projekt dhe kështu bëmë. Ne nuk mund të infektohemi nga antiglobalizmi, i cili është varianti më absurd dhe një mbetje e marksizëm-leninizmit”, - theksoi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›