Deklarata e Mediut: Nuk ka pasur trafik armësh
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka deklaruar se Shqipëria nuk është përfshirë në një trafik armësh, siç është akuzuar, por vetëm në një proces të rregullt ligjor shitjeje armësh. Pas publikimit të deklaratave të ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers, në mediat amerikane, Mediu komentoi për “Standard” se Shqipëria nuk ka pasur pengesë ligjore për të shitur armë kineze, duke hedhur poshtë kështu, akuzën që ai kishte kërkuar fshehjen e etiketave kineze të municioneve. Ai është shprehur se shitja e municioneve kineze ka qenë korrekte nga ana ligjore, si dhe ka pasur marrëdhënie të mira me administratën amerikane në Tiranë. “Dua të bëj një gjë të qartë, që ka qenë edhe në prononcimet e Ministrisë së Mbrojtjes, që çdo gjë që kemi bërë, shitja e armëve ka ndodhur sipas ligjeve në fuqi, ka qenë tërësisht e ligjshme. Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore që të shesë municione kineze dhe duke mos pasur asnjë pengesë ligjore, nuk ka asnjë trafik. Nuk ka trafik, por ka shitje municionesh që është bërë që në vitet ‘90. Edhe sot që ne flasim, bëhet shitje municionesh. Kjo shitje municionesh është e ligjshme dhe Shqipëria nuk ka asnjë pengesë ligjore që të shesë municione kineze, ruse apo ndonjë lloj tjetër, dhe ne e kemi bërë të deklaruar, sipas ligjit”, - është shprehur Mediu. Në deklaratën e tij, Mediu nuk ka pranuar të komentojë direkt deklaratën e ambasadorit Withers për mediat amerikane. “Kam pasur marrëdhënie korrekte në respektim të ligjit me institucionet amerikane. Çdo gjë e kemi bërë në bashkërendim, në respektim të ligjit dhe partneritetit të përbashkët. S’kemi pasur ndonjëherë ndonjë problem”, - ka thënë ai.