Përurohet rruga Vlorë - Selenicë
Asfaltimi i rrugës Vlorë - Selenicë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 187 milionë lekë, ka përfunduar. Kjo rrugë e re u përurua dje nga shefi i qeverisë, Berisha, i cili tha se ky është një premtim tjetër i mbajtur i tij dhe i qeverisë së drejtuar prej tij. Duke iu referuar gjendjes së rëndë në të cilën ishte rruga, Kryeministri Berisha tha se të vije në Selenicë ishte një nga udhëtimet më të mundimshme, ndonëse Selenica në shekuj shtroi rrugët e Shqipërisë dhe të Evropës. “Rruga që të sillte këtu, mund të quhej realisht rrugë e mundimshme. E asfaltuar një herë në vitet ‘70, e shndërruar në një rrugë me mijëra e mijëra gropa në 2005-ën, premtimi im i parë, dhe nuk mund të kisha premtim më të parë se këtë, ishte rindërtimi i rrugës. U investuan këtu rreth 187 milionë lekë për të shtruar një rrugë në parametrat më normalë për këtë zonë, e cila është një zonë me një traditë shekullore minerare në bitum dhe shumë e pasur në rërat bituminoze, por sot me ullishte dhe vreshta, një zonë e fuqishme bujqësore”, - tha ai. Më pas, Kryeministri përuroi përfundimin e punimeve për sistemimin, asfaltimin dhe gjelbërimin e sheshit qendror të Selenicës, si dhe ndërtimin e rrugës hyrëse të qytetit.