E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i armëve, Withers ende në pritje nga Kongresi

Pavarësisht interesit të treguar nga kryetari i Komisionit të Kongresit për Mbikëqyrjen dhe Komitetin e Reformës Qeveritare, Henry Waxman, për dëshminë e ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, në lidhje me tregtinë e armëve, duket se situata ka ngecur në vend. Ambasadori Withers në korrespondencën e tij shprehet i hapur për të dëshmuar në lidhje me këtë çështje, por ftesa zyrtare ende nuk ka ardhur nga drejtuesi i Komisionit Hetimor, Waxman. Burime pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, bëjnë të ditur se Withers është në pritje të udhëtimit për në SHBA për të dëshmuar në Kongres, por ende nuk ka ardhur një sinjal i tillë. Të njëjtat burime saktësojnë se ambasadori ka qenë në pritje të datës së caktuar nga komisioni për dëshminë e tij. Nuk dihet nëse komisioni Waxman do të heqë dorë nga kërkesa e tij publike, por megjithatë kjo çështje është lënë në heshtje prej tij dhe komisionit që ai drejton. Mediat amerikane i kanë cilësuar shpeshherë sulmet e këtij komisioni ndaj Withers edhe si sulme politike ndaj administratës së Bush.

Vetëm pak muaj më parë, kryetari i Komisionit në Kongres, Henry Waxman, i dërgoi një letër Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice, ku shprehej se kishte informacione se ambasada amerikane në Tiranë kishte aprovuar një plan për të fshehur origjinën kineze të municioneve që dërgoheshin në Afganistan. Njëkohësisht, edhe prokurori amerikan që po merrej me këtë çështje, pasi dëgjoi akuzat e Waxman-it, kërkoi dëshminë e Withers-it në Miami. Sipas medias së shkruar amerikane, edhe avokati i Diverolit, presidentit të kompanisë AYE, e cila u përfshi në këtë skandal, i përdori këto akuza për mbrojtjen e klientit të tij, duke thënë se “nuk duket të ketë qenë një krim, nëse ambasadori amerikan e ka aprovuar këtë”. Nuk mjaftoi shumë, dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Withers, reagoi duke thënë se ai dhe zyrtarët e tjerë të ambasadës, kishin qenë korrekt në këtë proces, madje ata kishin ndihmuar në hetimet e kësaj çështjeje. Duke folur për gazetën amerikane “Los Algeles Times”, Withers tha se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në një takim të pazakontë në orën 23:00, i kishte kërkuar ndihmë për të fshehur etiketat kineze të municioneve, si dhe të bllokonte aksesin e gazetarit amerikan, i cili kërkonte të vizitonte municionet që niseshin për në Afganistan. “Mediu u tha zyrtarëve amerikanë se ai ishte i shqetësuar pas një telefonate që ai kishte marrë nga një reporter i “New York Times”, i cili e kishte pyetur mbi probleme ligjore në të shkuarën dhe për një korrupsion të mundshëm duke i kërkuar të vizitonte aeroportin ditën tjetër për të parë ngarkesën me municione nën kontrollin e ministrisë”, - tha Withers për gazetën amerikane. Gjithsesi, pavarësisht këtyre zhvillimeve, si dhe këmbënguljes së kongresmenit Waxman, akuzat e këtij të fundit janë cilësuar edhe si luftë politike ndaj administratës së Presidentit Bush. “Këto zhvillime kanë mprehur tensionet mes Departamentit të Shtetit dhe Komitetit “Waxman”, i cili përbëhet nga një panel agresiv, që i shkakton shqetësime administratës Bush. Withers dhe mbështetësit e tij thonë se paneli u ngut në publikimin e akuzave të rreme për përfshirje të mundshme në këtë skemë. Vendimi i Withers-it për të folur hapur, ka shumë të ngjarë të ndezë tensionet dhe përfaqëson një rast të rrallë në të cilin një diplomat karriere sfidon një ligjvënës të nivelit të lartë”, - ka shkruar gazeta amerikane “Los Angeles Times”. Kongresmeni Henry Waxman është shfaqur si një kundërshtar i rreptë i Presidentit Bush, madje dhe sulmi ndaj ambasadorit Withers është parë si një sulm ndaj administratës së Presidentit, që nuk ka lidhje me rolin e ambasadorit veteran, Withers.

Withers ka kërkuar takim kokë më kokë me Waxman-in

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, kërkoi pak kohë më parë që të takohet drejtpërdrejt me drejtuesin e komisionit, Henry Waxman, ndërkohë që ky i fundit i shkroi një letër duke i bërë të ditur se do të takohet me stafin e tij. Withers i ka qëndruar kërkesës së tij të mëparshme drejtuar kongresmenit, ku i bënte të ditur se do të bënte dëshminë e tij mbi hetimet për tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe SHBA-ve vetëm në një takim kokë më kokë me të. Sipas një njoftimi zyrtar nga ambasada amerikane në Tiranë, bëhet e ditur se “ambasadori Withers është në pritje të takimit ballë për ballë me kryetarin e Komitetit për Mbikëqyrjen dhe Reformat”. Kjo deklaratë nënkupton hapur se ambasadori nuk i është përgjigjur kërkesës së dytë të bërë nga kongresmeni që kryeson hetimin, për kontaktime me stafin e këtij komiteti. Waxman ia kishte bërë këtë kërkesë si një përgjigje ndaj letrës së mëparshme të Withers-it. Në letrën e tij, ambasadori amerikan shkruante: “Në shenjë respekti, do të dëshiroja një takim ballë për ballë me ju për të prezantuar historinë e vërtetë të aktiviteteve të ambasadës amerikane, lidhur me kompaninë AEY dhe për të hedhur poshtë akuzat e lëshuara ndaj reputacionit të një kuadri të përkushtuar që shërben në ambasadën amerikane në Shqipëri”. Ky takim kërkohej për të sqaruar akuzat që kongresmeni kishte bërë ndaj ambasadorit dhe stafit të tij për përfshirje në atë që në Amerikë po cilësohet si skandali i shitjes së armëve. Akuza bënte fjalë për një takim mes ambasadorit Withers dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku sipas dëshmive që dispononte komiteti, zyrtari shqiptar i kishte propozuar atij heqjen e etiketave kineze nga municionet dhe ai e ka miratuar. Por, në një sqarim të gjatë që bënte Withers pak ditë më parë në “Los Angeles Times” e pranonte takimin, por shtoi se “ai dhe zyrtarë të tjerë amerikanë të pranishëm në takim, nuk dhanë asnjë shenjë me të cilën të tregonin se ata aprovonin këto ide, duke sugjeruar vetëm se Mediu duhet të përgatiste një përgënjeshtrim ndaj artikullit pas publikimit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›