E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luan Rama: PD dhe PS, interesa të përbashkëta

Sekretari i marrëdhënieve publike në LSI, Luan Rama, ka rimarrë dhe një herë akuzën e kësaj partie për një “aferë” që, sipas tij, ka bërë Edi Rama me dhëndrin e Kryeministrit Berisha për privatizimin e mjediseve të klubit sportiv “Partizani”. Edhe pse banorët e lagjes ku ndodhet ky klub sportiv sqaruan në media se ky klub ka shumë pronarë, ndër të cilët dhe dhëndri i kreut të qeverisë, LSI-ja ka vazhduar akuzat e saj duke e përzier këtë çështje me bashkëpunimin më të gjerë mes dy partive të mëdha. Rama e ka cilësuar këtë “aferë” si arsye që çoi dy partitë e mëdha në bashkëpunimin për ndryshimin e Kushtetutës. “Janë këto interesa që frymëzuan dhe realizuan dhunimin e Kushtetutës natën e 21 prillit. Janë këto interesa që sponsorizuan ndryshimet ne sistemin zgjedhor, ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit e deri tek ato më të fundit, ndryshimet në ligjin për sportet në Republikën e Shqipërisë, thelbin e të cilit e bëri të qartë në seancën përkatëse vetë Kryeministri, i cili teksa përpiqej të argumentonte ndryshimet në ligjin për sportet, u shpreh qartë se kompetencat e vendimmarrjes i kalojnë pushtetit vendor”, - tha Rama dje në emër të LSI-së. Por, sipas Luan Ramës, shumë kohë përpara se të miratoheshin ndryshimet në ligj, kryetari i Bashkisë së Tiranës e kishte dhënë provën e bashkëpunimit me lejen e ndërtimit për pallat banimi, siç paralajmëruan ndryshimet në ligjin për sportet. Sipas tij, “ndryshimet në ligj u bënë për t’u hapur rrugë interesave të klanit kryeministror, sipas të njëjtit model apo sipas të njëjtës praktikë që u ndoq edhe në rastin e Gërdecit, kur u dhanë lejet e fillimit të veprimtarisë kriminale, përpara se të miratoheshin ndryshimet në ligj dhe vendimet e qeverisë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›