Ish-repartet ushtarake u jepen pronarëve
Për 50 vjet e më shumë kanë funksionuar si vende të sigurisë së lartë ku stërviteshin ushtarët, ndërsa sot janë në mëshirë të fatit dhe presin t’u gjendet pronari. Shumë shpejt, ish-repartet ushtarake do të përdoren si objekte për kompensim fizik të kategorisë së ish-pronarëve. Këtë fakt e konfirmojnë burime zyrtare nga grupi i punës ndërministror dhe nga Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, e cila është në fazën e përgatitjeve për të nisur kompensimin fizik të pronarëve pas vendimit të qeverisë për këtë çështje. Kjo agjenci e sheh si një gjë normale përfshirjen e reparteve ushtarake në listën e objekteve për kompensim. Sipas saj, pritet një raport i detajuar nga Ministria e Mbrojtjes për këtë çështje, pasi këto objekte janë në pronësi të kësaj ministrie. Bëhet fjalë për reparte ushtarake që nuk janë më në përdorim, por kanë mbetur të shkretë, dhe në shumicën e rasteve, sipërfaqet përreth tyre përdoren nga banorët e zonave për të kullotur bagëtitë. AKKP-ja, duke u bazuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronarëve, i cilëson këto objekte njësoj si objektet e tjera: fabrika, uzina etj., që do të përdoren po për këtë qëllim.
Verifikimi i reparteve
Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se akoma nuk është bërë një verifikim i saktë i listës së reparteve ushtarake dhe mënyrës së funksionimit të tyre për të përcaktuar se cilët mund të jepen për kompensim të ish-pronarëve. Aktualisht ka nisur verifikimi i gjendjes fizike të të gjitha objekteve ushtarake. Sipas vendimit, të gjitha objektet si ish-reparte ushtarake, magazina, troje, poligone etj., në rast se do të vendoset që nuk do të përdoren më nga strukturat ushtarake, do t’i kalojnë përfundimisht Agjencisë së Pronave, e cila do t’i përdorë këto pasuri të paluajtshme për kompensim fizik ndaj ish-pronarëve. Aktualisht ende nuk dihet se sa prona do të përdoren nga Strukturat e Armatosura, por bëhet e ditur se shumë prej objekteve ushtarake që janë përdorim për këtë qëllim para viteve ‘90, aktualisht janë në mëshirë të fatit. Megjithëse akoma po punohet për këtë, mësohet se një pjesë e mirë e këtyre objekteve që nga viti 1991 nuk përdoren nga shteti. Këto objekte ose janë shkatërruar, ose mund të jenë uzurpuar në mënyrë të paligjshme. Një pjesë tjetër, edhe pse nuk përdoren si reparte ushtarake, ruhen nga Ministria e Mbrojtjes, duke i mbajtur akoma të paprekura. Ndërkaq, një pjesë e tyre vazhdon të ketë funksionin e mëparshëm, pra janë reparte ushtarake, ku jetojnë dhe stërviten ushtarët. Ndërkaq, në faqen e internetit të kësaj ministrie bëhet e qartë se shumica e objekteve që janë në pronësi të Forcave të Armatosura do të përdoren për privatizim ose strehim. Aty nuk bëhet e ditur nëse disa prej këtyre objekteve do të përdoren për kompensim të pronarëve, por sipas udhëzimit të dhënë kohë më parë nga qeveria për të gjitha ministritë, ato duhet të dorëzonin listën e objekteve që mund të vënë në dispozicion të procesit të kompensimit të pronave.
Fondi fizik për kompensimin e ish-pronarëve
Këshilli i Ministrave ka miratuar pak kohë më parë krijimin e fondit fizik të pronave që do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Ministria e Ekonomisë ka dërguar në qeveri të gjithë fondin e parë, i cili përbëhet nga toka bujqësore, livadhe dhe kullota, si dhe objekte shtetërore që nuk janë në përdorim. AKKP-ja do të ketë në një fond me sipërfaqe 17 335 hektarë tokë bujqësore të ish-NB-ve dhe institucioneve kërkimore të Ministrisë së Bujqësisë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së truallit për fondin e tokës, shikon se kur ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar, si dhe ku nuk është kryer regjistrimi fillestar. Pas verifikimit përfundimtar të bërë nga AKKP-ja, pronat të cilat rezultojnë me njohje apo kthim pronësie, zbriten nga fondi i mësipërm. Vendimi i qeverisë ka vendosur në ngarkim të Agjencisë së Pronave edhe 29 objekte në të gjithë vendin, të cilat do të përdoren për kompensim të ish-pronarëve. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, në fondin e kompensimit fizik, AKKP-ja do të ketë në një fond me sipërfaqe prej 72 891 hektarë pyje dhe kullota, i cili ka kaluar ose është në procedurën e kalimit në përdorim të organeve të pushtetit vendor, deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pasi bën verifikimin përfundimtar të pronësisë së këtyre pyjeve dhe kullotave, e përdor atë për kompensimin e ish-pronarëve, sipas mënyrës që përcakton ligji.
Ministria: 6 mijë objekte për privatizim ose strehim
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes bëhet e ditur se aktualisht, Forcat e Armatosura shqiptare kanë në pronësi rreth 6000 objekte. Sipas kësaj ministrie, pas procesit të rikonstruksionit, disa prej tyre nuk do të jenë të nevojshme që t’i përkasin ushtrisë. Në këtë mënyrë, kjo ministri ka caktuar objektivat për Drejtorinë e Ekonomisë dhe Privatizimit. Kjo drejtori duhet të identifikojë ato godina që mbeten të lira nga procesi i ristrukturimit të Forcave të Armatosura; të studiojë mundësitë e përdorimit të tyre në favor të ushtarakëve për banim ose për argëtim. Të privatizojë ato që mbeten në përputhje me legjislacionin në fuqi nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Privatizimit; të transformojë statusin e ndërmarrjeve në pronësi të Ministrisë në ndërmarrje me kapital të përbashkët, duke krijuar në këtë mënyrë mundësinë për komercializimin dhe privatizimin e tyre. Ndërkohë, sipas informacionit të kësaj drejtorie, “pjesa më e madhe e godinave të papërdorura ndodhet në zonat rurale, larg nga zonat urbane dhe nuk ka interes as për t’i privatizuar dhe as për t’i përdorur si banesa. Ajo pjesë e godinave që gjendet në bregdet po tërheq interesin e njerëzve, të kompanive brenda dhe jashtë vendit. Politika e Drejtorisë së Ekonomisë dhe Privatizimit është që t’i kthejë disa nga këto zona ushtarake në mjedise çlodhëse për personelin ushtarak dhe familjet e tyre”. Megjithatë, drejtoria sqaron se mbeten disa, të cilat nevojitet të lihen me qira për një kohë relativisht të gjatë në pritje që ministria t’i përdorë për interesin e saj dhe kërkesa për marrje me qira duhet të bëhet në Ministrinë e Mbrojtjes.