E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pergjigje FMN-se Taksat nuk do te rriten

Kryeministri Sali Berisha garanton se taksat nuk do të rriten, pavarësisht sugjerimit të FMN-së për shpëtimin e ekonomisë me anë të rritjes së taksave. Shefi i ekzekutivit pohoi përpara grupit te tij parlamentar se Shqipëria ka një model të suksesshëm ekonomik dhe se taksat nuk do të pësojnë rritje, por do të rritet performanca dhe disiplina fiskale.

"Unë kam mirëkuptim për kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për disa kërkesa që misioni ka bërë në vizitën e tij të fundit. Por nuk mund të them që ne do të rrisim  taksat. Ne nuk do të rrisim taksat. Ne do të rrisim performancën gjithnjë e më shumë.Ne besojmë se duke konsoliduar disiplinën fiskale dhe duke mos rritur taksat, krijojmë më shumë vende pune dhe më shumë rritje"-tha Berisha.

Duke premtuar se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë si një nga vendet me taksat më të ulta në Europë, kryeministri theksoi se rritja e pensioneve dhe rrogave do të vazhdojë. Ndërsa për tregtarët që spekulojnë me çmimet do të ketë masa drastike.

Ka një rënie të ndjeshme të disa produkteve dhe i garantoj qytetarët se do të vazhdojë rënia me te gjitha. Akoma ka spekulime, të cilat do t’i kenë këmbët e shkurtra. Ne jemi për fitimin dhe konsolidimi në fitim, por nuk mund të pranojmë spekulimin. Në tërësi është pozitive, sepse rënia ka ndodhur-theksoi kryeministri.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Berisha citoi se kohët e fundit janë shumëfishuar investimet private.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›