Berisha përshëndet rënien e Gaddafit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur rënien e regjimit të kolonel Muammar Gaddafit në Libi.
Në një deklaratë për media, në faqen zyrtare të kryeministrisë, thuhet: “Kryeministri Berisha përshëndet rënien e Tripolit, kryeqytetit të Libisë, nga sulmi i gjithanshëm i luftëtarëve të opozitës, duke shënuar kështu fundin e regjimit diktatorial, shtypës, gjysmë shekullor të Muammar Gaddafit dhe një fitore historike për popullin libian, NATO-n, vendet anëtare dhe miqtë e tjerë të lirisë së tij, në mbarë botën”.
Në deklaratë thuhet po ashtu se “Shqiptarët, që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Evropën e pasluftës së Dytë Botërore, të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës, ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe, që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes dhe terrorit shtetëror dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit”.