Hamasi ofron armëpushim

Pas ngjarjeve të fundit, të shoqëruara me sulme të dhunshme dhe të vrarë, grupet militante palestineze në Rripin e Gazës dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim.
Sulme terroriste, sulme ajrore dhe sulme me raketa. Më shumë se 30 të vdekur dhe një zhurmë e madhe diplomatike.
Katër ditë zgjatën këto përleshje në Lindjen e Mesme, deri sa më në fund një armëpushim i përkohshëm ndali dhunën. Sepse si qeveria izraelite, ashtu dhe organizata palestineze Hamas, deklaruan se ata nuk kanë aktualisht interes të një përshkallëzimi të dhunës.
Eksperti për çështjet islamike, Reuven Paz, nga qendra e studimit në Herzliya tha se para së gjithash udhëheqja politike e Hamasit ka ndryshuar.
"Ka një proces që ne mezi e dallojmë. Ky është një proces në të cilën Hamasi pothuajse bëhet "garant". Kjo do të thotë që nga një organizatë revolucionare bëhet një qeveri me një milici, e cila është si një ushtri e vogël. Ata përshkojnë një rrugë që përpiqen për të fituar legjitimitet. Pikërisht si me Izraelin, ashtu dhe me botën arabe. Por edhe me elementë jashtë botës arabe, veçanërisht me Amerikën. Ata kanë nën tryezë kontakte edhe me SHBA-në", tha Paz.