E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ne Siri Assad Nuk iki

Në Siri, presidenti i vendit, Bashar Al Assad ndjehet mjaft i sigurtë se qeveria e tij nuk do të rrëzohet nga protestat që vazhdojnë tashmë prej disa muajsh.  Gjatë një interviste në televizionin shtetëror, ai theksoi se zgjidhja në Siri është vetëm ajo politike, por dhuna do të marrë një përgjigje të vendosur nga forcat e sigurisë.

I vënë përballë një presioni të shtuar ndërkombëtar, Al Assad thotë se po ndërmerr hapa për të zbatuar një sistem shumëpartiak në Siri dhe zgjedhjet mbi bazën e këtij sistemi mund të mbahen në shkurtin e ardhshëm. Në fund të javës së shkuar liderët perëndimorë apeluan njëzëri se Assad duhet të lërë pushtetin dhe ti hapë rrugën tranziiconit demokratik në Siri.

Opozita siriane e cila është riorganizuar në Turqi, ka mbetur skeptike ndaj premtimeve të presidentit Al Assad, pasi siç thonë ata, nuk është hera e parë që ai bën premtime të tilla të cilat nuk i mban.Ndërkohë Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut do të mblidhet në Gjenevë për të diskutuar krizën, e cila deri më tani, ka shkaktuar 2500 të vdekur. Nga ky takim pritet një rezolutë ku dënohet qeveria siriane për mënyrën se si ka shtypur me dhunë demostratat kundër presidentit Asad.

Më herët, hetuesit e OKB-së akuzuan forcat siriane të sigurisë për dhunim të gjerë të të drejtave të njeriut. Vetëm të premten, nga dhuna qeveritare u vranë 40 persona. Protestat në Siri nisën në mes të marsit më kërkesën e largimit të Al Assad, familja e të cilit qeveris vendin prej 40 vjetësh.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›