E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, përuron rrugën në Dumre, akuzon opozitën për trillimin e arritjeve

Kryeministri Berisha gjatë ndalesës së tij në Bashkinë e Belshit, në kuadër të turit Shqipëria po Ndryshon, ka akuzuar opozitën, e cila sipas tij ka në themel trillimin ndaj çdo arritje të qeverisë. Ka një alternativë tjetër paralel me këtë; alternativa e fjalëve, mashtrimeve, gënjeshtrave, alternativë e cila përpiqet të nxijë gjithçka, veçoi ai. Kreu i qeverisë në këtë drejtim ka paraqitur synimin e kësaj qeverisje, e cila pavarësisht kundërshtimeve të opozitës do të vazhdojë të ec përpara pavarësisht dëshirave të saj. Në përçartjet e tyre unë do të veçoja një: thirrjen e tyre gjatë muajit prill që të mos rriteshin rrogat dhe pensionet. Ne e dëgjuam thirrjen  e tyre dhe nuk rritëm rrogat dhe pensionet më të larta, të ministrave dhe deputetëve, rritëm rrogat dhe pensionet tuaja, ashtu siç kishim parashikuar. Mund të shtroni pyetjen, si ka mundësi që një opozitë të kërkojë mosrritje rrogash dhe pensionesh. Por si do ta luftojnë ata varfërinë pa rritje rrogash dhe pensionesh?. Pra, opozita e tyre është opozitë e skupeve, e trillimeve, nënvizoi ai. Berisha ka përmendur marrjen e ftesës për në NATO, që për Shqipërinë dhe Kroacinë ishte lajmi më i madh i Samitit të Bukureshtit, por pavarësisht kësaj kreu i qeverisë ka përmendur se mediat që kishte sjellë opozita atje, informonin se Shqipërisë nuk do tia japin ftesën, ndërkohë që ftesa u morr pas gjysmë ore. Kryeministri Berisha e ka cilësuar të turpshme debatin mediatik, për marrëveshjen e ujërave me Greqinë, duke përmendur këtu vizitën e kryeministrit grek, i cili shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e emigrantëve tanë në Greqi. Por opozita vazhdoi të thoshte: Berisha i dha ujërat shqiptare. Këto ishin trillime primitive që edhe nxënësi i klasës së pestë, me kompas, është në gjendje të provojë se ato janë ndarë në bazë të ligjit dhe se nuk ka pasur asnjë milimetër abuzim. Kjo është një gjë shumë e turpshme, ka vijuar kryeministri gjatë fjalës së tij. Duke vazhduar akuzat ndaj opozitës, kreu i mazhorancës ka theksuar se këta të fundit mbajnë në shtëpi bunkerë kartoni duke thënë se shqiptarët janë si ky bunker, por bunkerët ai i ka cilësuar problem që na i imponuan. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë ka kërkuar vëmendje të veçantë nga ana e opozitës për të parë ndryshimet që po ndodhin në Shqipëri, ku shqiptarët po ndërtojnë rrugë, vila, ujësjellës, shkolla, po luftojnë dhe po përpiqen çdo ditë për tu bërë si kombet e tjera.
Politika e braktisjes së zonave rurale ka marrë fund
Kryeministri Berisha ka zbritur në Bashkinë e Belshit, ku inauguroi fillimin e punimeve të rrugës që lidh këtë zonë me Kuçovën, 14 kilometra e gjatë, me një vlerë prej 590 milion lekësh. Gjatë takimit me banorë të Belshit, numri një i qeverisë, ndërsa vlerësoi rëndësinë e këtij segmenti rrugor, tha se në këto katër vjet, ekzekutivi që ai drejton i ka kushtuar një rëndësi shumë herë më të madhe investimeve në këtë zonë, krahasuar me ato të qeverisë socialiste. Kreu i qeverisë shqiptare, ndërsa ka kërkuar një mandat të dytë, i garantoi banorët e Belshit se investimet do të jenë sërish refren i alternativës së djathtë. Në katër komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, qeveria e mëparshme ka investuar gjithsej 29 milionë lekë gjithsej. Unë zotohem para jush se çdo fshat i komunave të kësaj zone, do të lidhet me rrugë të asfaltuara, me qendrën e komunës dhe me rrugët kryesore. Unë dua tju bëj thirrje kryetarëve të komunave të Dumresë të bëjnë projektet e rrugëve të fshatrave të tyre dhe qeveria do ti financojë ato plotësisht. Sikundër, jemi të vendosur të investojmë në çdo projekt tjetër infrastrukturor, nënvizoi Berisha, duke veçuar se politika e braktisjes së zonave rurale ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Sipas shefit të ekzekutivit, në këto katër vjet qeverisja e djathtë bëri realitet premtimet e saj, duke nisur nga rritja e pagave dhe pensioneve, investimet në infrastrukturë, shkolla apo ujësjellës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE. Për shefin e qeverisë në vitin e parë të mandatit të dytë, qeveria do të bëjë realitet një tjetër ëndërr të shqiptarëve, atë të liberalizimit të vizave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›