Topalli feston ditën e Nënës, në kryesinë e Kuvendit
Me rastin e 9 Majit, ditës ndërkombëtare të Nënës, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka ndarë së bashku me gratë e kryeqytetit gëzimin e kësaj dite. Duke uruar të gjitha nënat, ajo vlerësoi si të pazëvendësueshëm kontributin e tyre në zhvillimin e shoqërisë. Në një atmosferë krejtësisht të veçantë e festive kryetarja e Kuvendit u përcolli urimet më të mira nga zemra nënave dhe fëmijëve të tyre, miqve më të veçantë në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo atmosferë festive është krijuar në ambientet e Kuvendit mesditën e së shtunës, ku të pranishëm në këtë aktivitet kanë qenë shkrimtare, artiste, si dhe dhjetëra arsimtare. Ato e konsideruan mbështetjen e kryetares së Kuvendit një shtysë më tepër për të kontribuar në të ardhmen e vendit, nëpërmjet angazhimit të tyre në të gjitha fushat. Është festa më e bukur, është festa më e ëmbël, është festa më madhështore. Është dita e nënave tona. Gëzuar festën të dashura nëna! Prehri i nënës është akademia më e madhe e botës. Unë këtë e besoj plotësisht. Nëna është mësuesja më e mrekullueshme, është mësuesja e dashurisë, është mësuesja e dhembshurisë, nëna është ajo që e ndjek fëmijën e saj, që kur fillon të hedhë hapat e para, dhe, pastaj, duke u dridhur kur forcon hapin. Pastaj kujdeset se mos gabon. Pastaj duke i forcuar shpirtin, vlerësoi Topalli. Ndërsa ritheksoi se gratë janë demokrate, kryetarja e Kuvendit, veçoi se nëna nuk dorëzohet kurrë, duke u ndaluar në këtë drejtim edhe në turin e saj elektoral. Ju keni qenë gjithkund së bashku me mua, në çdo takim që ne gjatë këtyre ditëve kemi bërë në të gjithë Shqipërinë. Kanë qenë takimet më të veçanta. Unë mendoj se kanë qenë takimet më të vërteta. Takime të thjeshta, të sinqerta, por të dashura. Në fakt, gjatë gjithë kësaj periudhe unë kam takuar gra të ndryshme. Ato janë nga qytete të ndryshme, nga rrethe të ndryshme, me interesa të ndryshme. Por, pavarësisht nga ndryshimet që kemi pasur me njëra-tjetrën ne kemi një gjë të përbashkët, është gjuha që na lidh me fëmijën, me vajzën tonë, djalin tonë. Dhe kjo një gjuhë është e fortë, është gjuha e dashurisë sonë, është gjuha e dashurisë, por edhe e sakrificës, veçoi Topalli. Ndër të tjera gjatë fjalës së urimit, ajo e ka vlerësuar nënën si deputeten e parë, sepse nënat mendojnë vetëm për shëndetin e fëmijës, për shkollën e fëmijës.