Biberaj dhe MPJ përshëndesin anëtarësimin e Kosovës në FMN
Deputeti i Partisë Demokratike, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë, Aleksandër Biberaj, ka përshëndetur anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Pas njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga 58 vende, anëtarësimi i Kosovës në FMN përbën hapin më të rëndësishëm në fushën ekonomike, pasi ky anëtarësim i hap Kosovës rrugën për marrjen e kredive, me qëllim zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare me karakter ekonomiko-financiar,
nënvizoi Biberaj. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ai vlerësoi anëtarësimin e Kosovës në FMN, si rritje të paqes dhe stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet zhvillimit ekonomik të këtij rajoni si dhe integrimit të tij në ekonominë europiane dhe atë globale. Gjithashtu, edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur këtë anëtarësim duke e konsideruar një hap tjetër historik si dhe një kontribut real për stabilitetin e rajonit. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se anëtarësimi në një organizatë të tillë prestigjioze ndërkombëtare konfirmon njohjen, nga komuniteti ndërkombëtar të progresit që ka bëra Republika e Kosovës dhe transformimet e padiskutueshme që ka përjetuar ajo gjatë vitit të parë si shtet i pavarur.