E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: PD e para parti, që i ka ende dyert e hapura për të rinjtë

Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, gjatë një takimi me të rinjtë e qytetit të Gjirokastrës, ka vlerësuar rolin e të rinjve shqiptarë në hapjen e rrugës së Shqipërisë drejt Europës. Sipas tij, kanë qenë të rinjtë, ata që rrëzuan sistemin më të egër komunist në Europë, ishin të rinjtë ata që hapën rrugën e Shqipërisë për në demokraci. Duke kritikuar kundërshtarët e tij politik, kreu i FRPD, theksoi se në këtë forum dhe në PD, ndryshe nga çndodh në forumet, apo OJQ-të e partive të opozitës, anëtarët ulen, diskutojnë, pranojnë idetë e njëri-tjetrit, dhe idetë vihen në lëvizje. Takimet, që përfaqësuesit e PD-së zhvillojnë me elektoratin, nuk janë takime ku nuk flitet, mbahet një fjalim dhe largohet, por në partinë Demokratike dhe në Forumin Rinor gjërat diskutohen, idetë e çdo anëtari respektohen dhe vlerësohen, sepse PD është e para parti në vend, që realisht hapi dyert për të rinjtë dhe e para parti në vend, që realisht i ka ende dyert e hapura për të rinjtë, nënvizoi Bogdani. Duke e cilësuar Forumin Rinor, si pikënisja e një karriere për ata që do të vazhdojnë politikën, Bogdani ka vlerësuar rininë e Gjirokastrës, që sipas tij rrezatojnë potencial. Është pikërisht rinia shqiptare, ajo që sot po arrin në nivele të barabarta me bashkëmoshatarët europianë në bazë standardesh, që vjen si rrjedhojë e anëtarësimit në NATO. Në këtë drejtim, Bogdani ka premtuar gjatë fjalës së tij përpara rinisë gjirokastrite, se në vitin e parë të mandatit të dytë të kësaj qeverisje, do të realizohet lëvizja e lirë, duke veçuar këtu si gjënë më të rëndësishme vazhdimin e ndryshimit. Kreu i FRPD-së, Bogdani ka ftuar të rinjtë e këtij qyteti të bëhen pjesë e ndryshimit, ndryshim i cili është i prekshëm, fjalë dhe premtime të mbajtura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›