Berisha përuron rrugët e Kamzës
Kryeministri Sali Berisha përuroi një seri objektesh infrastrukturore në Bashkinë e Kamzës, përurime që sipas tij, janë në përputhje me zotimin e qeverisë për të shndërruar Kamzën në një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Berisha inauguroi Bulevardin Blu, inauguroi rrugën "Skënderbeu" si dhe rrugën "NATO". Gjithashtu ai inauguroi dhe fillimin e punimeve në rrugën Çekrez si dhe fillimin e punimeve të Pallatit të Kulturës në këtë bashki, me vlerë 184 milionë lekë.
Më pas, Berisha zhvilloi një takim elektoral me banorët e Kamzës, ku i ftoi të gjithë ata, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohen dhe të votojnë më 28 qershor për Kamzën evropiane dhe për Shqipërinë evropiane. "Këto tre ditë që na kanë mbetur le të trokasim në zemrën e çdo shqiptari, çdo miku, çdo shoku, çdo shoqeje, çdo të njohuri dhe t'i kërkojmë atij të bashkohet me ne në projektin tonë të madh, në ëndrrën tonë evropiane", u shpreh Berisha. Ai i ftoi të gjithë shqiptarët që të shkojnë në kutitë e votimit bashkërisht si familje, por të votojmë si individë, për të mos dëmtuar zgjedhjet me votim familjar. Thirrja ime vëllazërore për ju dhe për të gjithë shqiptarët është që të shkojmë tek kutitë e votimit bashkërisht si familje, por të votojmë si individë, për të mos dëmtuar zgjedhjet me votim familjar, sepse këtë radhë duhet ti faktojmë vetes dhe Evropës se ne do të trokasim në dyert e saj si qytetarë të lirë,, u shpreh Berisha.