E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, përplasen PD dhe PS, për mitingun e Berishës

Mitingu i kryeministrit Sali Berisha në Vlorë ka sjellë dhe përplasjen e dy kampeve në këtë qytet. Ndërsa demokratët me anë të sekretarit të tyre të marrëdhënieve me publikun Gramoz Nazëraj e kanë cilësuar atë preludin e fitores më 28 qershor, socialistët me vetë kryetarin e shtabit elektoral Shpëtim Gjika i kanë uruar punë të mbarë kryeministrit të ardhshëm socialist Edi Rama, ndërsa i kanë uruar gjithashtu pleqëri të mbarë kryeplakut të politikës së vjetër Sali Berisha. Mitingu i djeshëm, ishte sintezë e qartë e kësaj përkrahje, besimit dhe bekimit për të vazhduar misionin e ndryshimit, për të ndryshuar edhe më Vlorën e Shqipërinë, për ti çuar atje ku meritojnë. PD, është e vendosur, dhe e sigurt në atë çfarë kërkohet prej saj. Do donim që edhe socialistët drejtues të ishin pjesë integrale e këtij ndryshimi dhe zhvillimi. Por fatkeqësisht, egoja e tyre për pushtet, i ka lënë larg këtij entuziazmi mbarë popullor, deklaroi Nazëraj. Ndërsa kryetari i shtabit elektoral të PS për qarkun e Vlorës, njëherazi edhe kryetari i bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, deklaroi se kryeministri në ikje në 28 qershor vazhdon të mos kuptojë që më shumë se sa premtimet, duhet të japë llogari për çfarë ka realizuar në këtë mandat 4-vjeçar qeverisës për qytetin e Vlorës. Me cilësinë e kryetarit të shtabit elektoral të PS për qarkun Vlorë, dua tju falënderoj për qytetarinë e lartë që treguat dje, duke bojkotuar mitingun e kryeministrit në ikje në 28 qershor. Në 28 Qershor, vota juaj e bën të padiskutueshme fitoren e PSSH dhe të vizionit të saj për të ardhmen. Le ti urojmë të gjithë bashkë punë të mbarë zotit Edi Rama, Kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, dhe pleqëri të mbarë kryeplakut të politikës së vjetër, kryeministrit në ikje në 28 qershor, përfundoi Gjika.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›