E Diel, 1 Nëntor 2026

"Berisha po shet shumë lirë pasurinë kombëtare"

Socialistët ngritën dje sërish shqetësimin për mungesën e informacionit për sa i takon privatizimit të INSIG-ut. "Qeveria vijon me papërgjegjshmëri të mos informojë publikun për detaje të procesit, për listën e pjesëmarrësve, për ofertat e tyre apo për planet e biznesit. E njëjta papërgjegjshmëri mbulon të vërtetat për administrimin fiskal në 12 muajt e vitit", vlerësoi Ilir Beqja. Sipas tij, është paaftësia e qeverisë së Sali Berishës që e shtyu 3 vjet privatizimin e INSIG, duke bërë që kompania të humbte pozicion në treg, apo të kishte në vitin 2007 një fitim neto 14% më të vogël se në vitin 2006, në një kohë që tregu i sigurimeve në Shqipëri ka pasur rritje. "Është papërgjegjshmëria e qeverisë së Sali Berishës që e shtyu privatizimin për 3 vjet duke realizuar këtë proces në një nga momentet ndërkombëtare më të disfavorshme të financave ndërkombëtare në 18 vitet e fundit", u shpreh Beqja. PS vlerëson se çmimi për vlerën totale prej 41 milionësh është vetëm 1,7 herë sa vlera kontabël neto e INSIG në fund të vitit 2007, ndërkohë që gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri janë shitur tre kompani private sigurimesh me çmime më të larta se 3 herë vlera e tyre kontabël neto. "Ekzistonin të gjitha mundësitë që INSIG të shitej të paktën sa 3 herë vlera kontabël neto. Kështu, kompania duhet të shitej të paktën 72 milionë EURO. Për këtë arsye ne denoncojmë sot, se qeveria e Sali Berishës u ka borxh shqiptarëve të paktën 19 milionë EURO apo 2,3 miliardë lekë", insistoi Beqja. Opozita sqaron se 19 milionë euro që mungojnë nga privatizimi i INSIG do të mjaftonin për të ndërtuar dhe pajisur ambulanca në 250 fshatra të Shqipërisë, ose ndërtuar dhe pajisur qendra shëndetësore për 30 komuna rurale në Shqipëri. "Do të mjaftonin për të ndërtuar dhe pajisur klasa për mbi 10 mijë nxënës në të gjithë vendin, do mjaftonin për të ndërtuar ujësjellësa që do të furnizonin me ujë të pijshëm 120 mijë banorë të Shqipërisë", tha Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›