Milo: Diplomatët, kritikat janë të drejta
Demokracia Sociale përshëndeti dje deklarimet e ndërkombëtarëve për ligjin e lustracionit. Sipas Paskal Milos, ato ishin në vazhdim të qëndrimeve që kanë mbajtur për këtë çështje SHBA-ja, Këshilli i Evropës, OSBE-ja, të cilat e kanë kritikuar ligjin dhe i kanë kërkuar qeverisë të reflektojë. "Komandanti i mazhorancës ka marrë përsipër të jetë kundër të gjithëve, kundër SHBA-së, kundër BE-së, kundër Këshillit të Evropës, kundër OSBE-së. Ku do të shkojë? Ku e gjen forcën e argumentet? Një Zot e di", nënvizoi Milo. Sipas tij, është për të ardhur keq që zërat e ekuilibruar e të arsyeshëm në PD po heshtin për këtë qëndrim absurd e kokëfortë të liderit të tyre.