E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harta elektorale, si do të ndahen deputetët në qarqe

Ndër vendimet e para që pritet të marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është projekti për ndarjen e mandateve të deputetëve në 12 qarqet e vendit. Llogaritja përfundimtare ka për bazë regjistrin e shtetasve shqiptarë në muajin janar të vitit 2009. Sipas këtyre të dhënave, në Shqipëri janë të regjistruar në total 4.297.432 shtetas. Duke zbatuar formulën e pjesëtimit të këtij numri, me numrin e shtetasve të çdo njërit prej qarqeve, del numri i deputetëve për qark. Pasi shpërndahen dhe mbetjet dhjetore mundësohet të konkretizohet numri përfundimtar i mandateve. Në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit 2009, kryeqyteti i Shqipërisë, me popullsi 992.118 shtetas do të ketë 32 deputetë. Pas tij vjen Qarku i Fierit, me numër popullsie 488.439 shtetas dhe përkatësisht 16 mandate deputetësh. Në vend të tretë, për nga shpërndarja e mandateve, vjen Qarku i Elbasanit me 426.903 shtetas dhe 14 mandate deputetësh. Pas tij renditet Qarku i Durrësit me popullsi 404.321 shtetas dhe 13 mandate ligjvënësish. Qarku i Korçës ka në janar 2009 popullsinë prej 356.377 shtetasish dhe i takojnë 12 deputetë; Qarku i Shkodrës me 338.744 shtetas dhe 11 mandate deputetësh; Qarku i Beratit me 235.857 shtetas dhe tetë mandate deputetësh; Qarku Lezhë me 214.249 shtetas dhe përkatësisht me shtatë deputetë; Qarku Dibër ka 187.239 shtetas dhe gjashtë mandate deputetësh. Në fund të listës janë Qarku i Gjirokastrës, me 163.492 shtetas dhe pesë deputetë; Qarku i Kukësit ka 116.394 shtetas dhe katër deputetë. Në nenin 75 të Kodit Zgjedhor thuhet se numri i mandateve për secilën zonë zgjedhore përcaktohet në raport me numrin e shtetasve të secilës zonë zgjedhore. Çdo mandat përfaqëson një numër afërsisht të njëjtë shtetasish. Numri total i shtetasve, sipas regjistrit kombëtar të gjendjes civile, pjesëtohet me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, duke përcaktuar numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati të Kuvendit. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore përcaktohet duke pjesëtuar numrin e shtetasve me vendbanim në zonën zgjedhore, me numrin mesatar zgjedhës/deputet. Çdo zone zgjedhore i caktohet fillimisht një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm. Në rast se në përfundim të veprimit të kryer, një apo më shumë mandate mbeten pa u shpërndarë, ato mandate u shpërndahen zonave mbi bazën e presjes dhjetore më të madhe të përftuar nga pjesëtimi. Shpërndarja e mandateve të mbetura kryhet në rend zbritës, duke filluar nga zona me presjen dhjetore më të madhe. Në nenin 76 të Kodit thuhet se jo më vonë se 4 muaj para datës së fillimit të periudhës zgjedhore, që i paraprin fundit të mandatit të Kuvendit, Drejtoria e Gjendjes Civile i dërgon KQZ-së numrin e

përgjithshëm të shtetasve, si dhe numrin e shtetasve për çdo qark, bazuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Jo më vonë se 15 ditë nga marrja e të dhënave, KQZ-ja kryen llogaritjen për caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara më sipër dhe ia dërgon menjëherë Kuvendit. Kuvendi, me procedurë të përshpejtuar, miraton me vendim ndarjen e mandateve. Numri i mandateve për çdo zonë zgjedhore nuk rishikohet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Qarku Berat

8 deputetë

Qarku Dibër

6 deputetë

Qarku Durrës

13 deputetë

Qarku Elbasan

14 deputetë

Qarku Fier

16 deputetë

Qarku Gjirokastër

5 deputetë

Qarku Korçë

12 deputetë

Qarku Kukës

4 deputetë

Qarku Lezhë

7 deputetë

Qarku Shkodër

11 deputetë

Qarku Tiranë

32 deputetë

Qarku Vlorë

12 deputetë

Tejkalohet afati për përgatitjen e

listës paraprake të zgjedhësve

Skadon afati i përgatitjes së listave paraprake të zgjedhësve.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme kanë bërë me dije se listat e zgjedhësve janë në proces pastrimi nga dublikimet e emrave dhe ky proces do të zgjasë të paktën edhe dy javë të tjera. Duke iu referuar Kodit Elektoral, listat e zgjedhësve duhet të jenë gati jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve. Më 14 janar, Presidenti Bamir Topi dekretoi datën përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Më 28 qershor, të gjithë qytetarët do t‘u drejtohen kutive për të bërë zgjedhjen e tyre politike. Por dje duhet të kishte dalë edhe lista paraprake e votuesve, për të cilën nuk ka asnjë përgjigje nga zyrtarët e lartë. Në ditët në vazhdim, pritet të ndodhë edhe një përplasje e mundshme mes pushtetit lokal dhe atij qendror për përgatitjen e listave paraprake të votuesve. 29 janari ishte afati i fundit ligjor i parashikuar nga Kodi i ri Zgjedhor për paraqitjen e listave të zgjedhësve.

Listat

Lista e votuesve konsiderohet si një dokument i pashkëputur nga sistemi i regjistrit kombëtar të gjendjes civile, që, sipas demokratëve, është përfshirë në një projekt modernizimi.

Listat e zgjedhësve do të hartohen për çdo zonë qendre votimi mbi bazën e të dhënave elektronike të regjistrit kombëtar të gjendjes civile. Kjo listë përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin në zonën e qendrës së votimit të njësisë së qeverisjes vendore, mbështetur në të dhënat elektronike të regjistrit kombëtar të gjendjes civile të shtetasve. Votuesi duhet të jetë i regjistruar vetëm në një listë zgjedhësish.

Kampi i majtë kërkon si zgjidhje emergjente që të pastrohen regjistrat elektronikë nga dublikatet. Pajisja me kartat e identitetit është një tjetër çështje, e cila ka ngelur pezull, ndërkohë që ende nuk ka një qëndrim zyrtar se kur shqiptarët që kanë aplikuar për letërnjoftimet do të mund të pajisen me to.

Një tjetër dështim i kampit blu është edhe ai i Komisionit Parlamentar për Monitorimin e Infrastrukturës së Zgjedhjeve. Pa nisur mirë ethet e votimeve të 28 qershorit, mazhoranca dhe pakica duket se nuk janë në rrugë të mbarë. Komisioni kishte si synim të monitoronte veprimet e Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe pushtetit lokal, për përmbushjen brenda afateve të të gjitha kërkesave të Kodit Zgjedhor, që lidhen me përgatitjen e procesit elektoral të 28 qershorit.

Kodi

Lista paraprake e zgjedhësve përgatitet jo më vonë se 15 ditë nga dekretimi i datës së zgjedhjeve prej zyrave të gjendjes civile, nën autoritetin e kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore dhe në zbatim të udhëzimeve të ministrit që mbulon pushtetin vendor, harton listën paraprake të zgjedhësve për çdo zonë, qendre votimi, duke nxjerrë nga baza e të dhënave elektronike të regjistrit kombëtar të gjendjes civile të njësisë përkatëse, të gjithë shtetasit që do të mbushin moshën 18 vjeç, deri në datën për zhvillimin e zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›