Berisha pohon: KE, ekspertizë shtesë për vizat
Qeveria shqiptare zyrtarizon monitorimin shtesë nga Komisioni Europian në kuadër të liberalizimit të vizave. Ndonëse më parë ishte mohuar kategorikisht nga ministrat e qeverisë “Berisha”, ishte Kryeministri që në mbledhjen e komitetit ndërministror të integrimit bëri një hap prapa. “Siç është në praktikën e deritanishme të KiE-së, raporti është pozitiv, shton disa kërkesa dhe kështu është vepruar edhe me vende të tjera që kanë marrë heqjen e vizave”, u shpreh Berisha. Grupet vijnë sërish për t’i parë, vijoi ai, por kësaj here procesi ecën. “Ka disa etapa, ka një proces politik, legjislativ, që do të votohet edhe në Parlament më vonë, ndaj dhe duhet të bëjmë çdo gjë që çështjet e raportit t’i konkretizojmë sa më mirë dhe sa më shpejt”, theksoi Kryeministri. Berisha falënderoi përzemërsisht Komisionin Europian dhe ekspertët për raportin shumë objektiv që paraqitën mbi ecurinë e plotësimit të objektivave të Udhërrëfyesit, për heqjen e vizave për Shqipërinë. “Siç është në frymën më të mirë të bashkëpunimit me këtë institucion, raporti paraqet me vërtetësi dhe realizëm, si dhe ka marrë parasysh të gjitha faktet, dokumentet e paraqitura nga autoritetet shqiptare. Kështu që unë kam vetëm vlerësimin më të madh për objektivitetin që kanë treguar ata, të cilët kanë hartuar këtë raport. Raporti është qartësisht pozitiv. Ky është vlerësimi i përgjithshëm”, konstatoi Berisha. Me këtë rast, Kryeministri falënderoi të gjithë anëtarët e komisionit ndërministror, drejtuesit e institucioneve dhe agjencive, si dhe punonjësit e tyre, të cilët me punën, përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e tyre bënë të mundur që për Shqipërinë të lëshohet një raport i tillë. “Ky ka qenë dhe është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi për qytetarët shqiptarë lëvizja e lirë në Europë përbën arritjen më të madhe të jetës së tyre”, nënvizoi Berisha. Në vlerësimin e tij, kemi të bëjmë me një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet edhe pas heqjes së vizave. “Ky proces ka qenë një proces transformues dhe unë dua të përgëzoj ju dhe të gjithë bashkëpunëtorët tuaj për mënyrën serioze më të cilën ju e keni trajtuar dhe e trajtoni këtë çështje. Dhe ky seriozitet dhe ky përkushtim ka pasur dhe ka rezultatet e veta. Ky është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet dhe pas heqjes së vizave, sepse mendoj se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet tona bëhen më të mëdha”, u shpreh Berisha. Kryeministri ritheksoi se hapa të mëdhenj të rëndësishëm janë bërë në aspektin ligjor, siç janë përmirësimet në ligjin e konfiskimit të pasurive, miratimi i ligjit kundër diskriminimit etj. “Ne kemi bërë shumë dhe ne aspektin ligjor. Përmirësimi që i bëmë ligjit të konfiskimit të pasurive është një hap shumë i rëndësishëm. Ne kemi sot një nga ligjet më të mira në Europë. Prandaj t’i qëndrojmë, ta zbatojmë atë në interesin më të mirë, të vendit, por në tërësi të luftës kundër kriminalitetit, i cili sa ç’është kombëtar është edhe ndërkombëtar”, tha Berisha.
#