Ruçi: Ky është momenti final për demokracinë
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, hapi protestën maratonë të Partisë Socialiste. Praninë e qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në shesh, Ruçi e ka quajtur rrugën e vetme të drejtësisë, ku qytetari i lirë përballet me pushtetin. “Mirë se keni ardhur në këtë provë të qytetarit para pushtetit, përpara atij pushteti që e vjedh qytetarin, që e lë pa bukë, që i shtrenjton atij ilaçet, që e ka lënë të mbyllur në geto, duke qenë në mes të Europës”, theksoi Ruçi. Ai nënvizoi në fjalën e tij se kjo qeveri ka vetëm një rrugë, ose të hapë kutitë, ose të largohet. “është momenti final, kur qytetari jep shembullin e tij për fatin e demokracisë. Ose zgjidhje të krizës politike, ose zgjedhje të parakohshme. Sot ka vetëm një rrugë, ose të pranojë zgjidhjen e krizës, ose të largohet qeveria”, u shpreh Ruçi. Sipas tij, protestuesit e sotëm do të jenë dëshmitarët e parë të ikjes së kësaj qeverie, që e ka futur vendin në një tunel të errët.
#