Sot festa e PD, gati përballja në bulevard
Anëtarë të PD-së, LSI-së dhe partive të tjera të koalicionit të djathtë, së bashku me shumë simpatizantë të së djathtës dhe punonjës të administratës shtetërore nga të gjitha rrethet e vendit do të marrin pjesë sot në mitingun festiv që qeveria organizon me rastin e 1 Majit. Me të njëjtin mekanizëm që ka vepruar PS dhe forcat opozitare për të organizuar protestën e djeshme, forcat politike në pushtet kanë bërë gjithçka gati për mitingun e sotën në sheshin Nënë Tereza, qëllimi kryesor i të cilit është të mbledhë më shumë njerëz se protesta e së majtës.
Korrespondentët e gazetës “Shqip” në rrethe raportuan dje për një organizim që ka përfshirë jo vetëm degët e partive kryesore politike të së djathtës, por edhe krerë e institucioneve me varësi nga qeveria dhe bashkive e komunave që drejtohen nga partitë e koalicionit. Burime të PD-së së Elbasanit thanë dje se rreth 4 mijë veta nga ky qark do të jenë sot në Tiranë dhe do të udhëtojnë të organizuar me autobusë e furgonë të paguar nga partitë e koalicionit. Demokratët e Shkodrës nuk japin shifër për pjesëmarrjen, por thonë se sot do të shënohet udhëtimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë nga Shkodra drejt Tiranës. Edhe PD e Durrësit nuk jep shifra, por konfirmohet se janë bërë gati dhjetëra autobusë, ndërsa në dispozicion të mitingashëve do të vihet edhe një tren i posaçëm. Edhe nga Fieri pritet që në mitingun festiv të ketë një numër të madh pjesëmarrësish, udhëtimi i të cilëve përballohet nga kompania “Albetrol”. Berati, një zonë që mbështet të majtën dhe me pak populsi, do të sjellë në Tiranë rreth 1000 vetë, Lezha 200, Korça 3000 etj. Deri dje në mbrëmje, gjithçka për mitingun festiv ishte bërë gati dhe pritet që sot në mesditë Tirana të jetojë disa momente të jashtëzakonshme të bashkëjetesës së festës dhe protestën në të njëjtin bulevard.